Kanceri i gjirit mbetet forma më e zakonshme e kancerit tek gratë në mbarë botën dhe, megjithëse rrallë, mund të shfaqet edhe tek meshkujt. Ndër llojet e tij, kanceri i gjirit trefish negativ (TNBC) konsiderohet ndër më agresivët dhe më të vështirët për t’u trajtuar.
TNBC dallon nga kanceret e tjera të gjirit sepse qelizat e tij nuk kanë receptorë të estrogjenit, progesteronit dhe nuk prodhojnë proteinën HER2. Për këtë arsye, nuk i përgjigjet terapive hormonale apo trajtimeve anti-HER2, duke e bërë trajtimin më të kufizuar dhe shpesh më pak efektiv, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri qelizor nga Mass General Brigham, i publikuar në revistën “Nature”, ka identifikuar një kombinim premtues të dy frenuesve që kur përdoren së bashku, e kthejnë qelizën kanceroze në një gjendje më të ndjeshme dhe më të lehtë për t’u shkatërruar.
Studiuesit theksojnë se ky zbulim duhet të testohet në prova klinike për të vlerësuar nëse mund të shndërrohet në një trajtim të ri dhe efektiv kundër këtij lloji agresiv të kancerit.
Sipas Shoqërisë Amerikane të Kancerit, 1 në 8 gra në SHBA do të diagnostikohet me kancer gjiri gjatë jetës, me shumicën e rasteve pas moshës 50 vjeç.
Ndërsa incidenca e sëmundjes po rritet, vdekshmëria ka rënë falë zbulimit të hershëm dhe terapive të avancuara.
Megjithatë, forma si TNBC mbeten sfiduese. Ben Atkinson nga Breast Cancer Now thekson se rreth 8,000 gra në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen çdo vit me TNBC, një formë që ka më shumë gjasa të rikthehet dhe të përhapet herët.
Gjetjet e reja përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të trajtimeve më efektive për këtë lloj kanceri, duke ofruar shpresë të re për shumë pacientë. /Gazeta Shneta/


