Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka zbuluar prova të jashtëzakonshme që tregojnë se egjiptianët e lashtë mund të kenë trajtuar kancerin mijëra vjet më parë. Shkencëtarët kanë studiuar dy kafka njerëzore, të cilat janë mijëra vjeçare, dhe kanë gjetur dëshmi të përpjekjeve për të trajtuar këtë sëmundje.
Autori kryesor i studimit, profesor Edgard Camaros, një paleopatolog në Universitetin e Santiago de Compostela, tha se ky zbulim është një dëshmi unike e përpjekjeve të mjekësisë së lashtë egjiptiane për të trajtuar ose eksploruar kancerin më shumë se 4000 vjet më pare, shkruan Frontiserin, transmeton Gazeta Shneta.
Tatiana Tondini, një studiuese pranë Universitetit Tubingen dhe autorja e parë e studimit të botuar në Frontiers in Medicine, tha se egjiptianët e lashtë ishin të aftë në përballimin e frakturave komplekse të kafkës, por kanceri mbetej ende një kufi i njohurive mjekësore. “Ne donim të mësonim për rolin e kancerit në të kaluarën, sa e përhapur ishte kjo sëmundje në antikitet dhe se si shoqëritë e lashta ndërvepronin me këtë patologji,” tha ajo.
Studiuesit ekzaminuan dy kafka të mbajtura në Koleksionin Duckworth të Universitetit të Kembrixhit. Njëra kafkë, e datuar midis 2687 dhe 2345 para Krishtit, i përkiste një burri të moshës midis 30 dhe 35 vjeç. Tjetra kafkë, e datuar midis 663 dhe 343 para Krishtit, i përkiste një gruaje më të vjetër se 50 vjeç. Në kafkën e mashkullit, vëzhgimi mikroskopik tregoi një lezion të madh dhe rreth 30 lezione me metastaza.
Por studiuesit ishin të habitur kur zbuluan shenja të prera rreth këtyre lezioneve, të cilat mund të jenë bërë me një objekt të mprehtë si një instrument metalik. “Kur vëzhguam për herë të parë shenjat e prera nën mikroskop, nuk mund ta besonim atë që ishte para nesh,” tha Tondini.
Ky zbulim sugjeron se, megjithëse stilet moderne të jetesës, jetëgjatësia më e madhe dhe substancat që shkaktojnë kancer në mjedis janë të lidhura me një rrezik në rritje të kancerit, kanceri ishte gjithashtu i zakonshëm mijëra vjet më parë.
Shkencëtarët paralajmëruan se studimi i mbetjeve skeletore përfshin sfida të shumta që e bëjnë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve të qarta, veçanërisht pasi mbetjet shpesh janë të paplota dhe nuk ka histori klinike të njohur. “Ky studim kontribuon në një ndryshim të perspektivës dhe vendos një bazë inkurajuese për kërkimet e ardhshme në fushën e paleo-onkologjisë, por do të nevojiten më shumë studime për të zbuluar se si shoqëritë e lashta trajtonin kancerin,” tha Camaros./Gazeta Shneta/


