Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka bërë thirrje sot që rasti i kufomës në Klinikën e Pulmologjisë të trajtohet nga Inspektorati Shëndetësor, ndërsa SHSKUK të marr masa nëse ka neglizhencë.
“Çdo rast i cili është shqetësues edhe në aspektin human duhet të trajtohet nga institucionet relevante dhe për këtë arsye është Inspektorati Shëndetësor, por edhe SHSKUK duhet ta trajtoj me seriozitetin më të lartë nëse ka neglizhencë”, ka deklaruar Zemaj, shkruan Gazeta Shneta.
Në anën tjetër familjarët e 74-vjeçares së ndjerë, trupi i së cilës u la për disa orë në një dhomë me pacientët tjerë, kanë rrëfyer tmerrin që përjetuan mëngjesin e së dielës.
“Nana jem ka dalë negative në dy teste. Në Prishtinë ish krim. Aty ish tmerr. Pakujdesi e mjekëve. Nuk interesohen për pacientin. Jam detyrua që në ora 02:00 të natës me e thirrë policinë. Mjeku nuk u ndalke kur donim ta pyesnim. Kur e thirra policinë dolën krejt mjekët. Dhoma 4 me 3, katër pacientë. Nëna më ka vdek mu në ora 6:30 në mëngjes. Ajo deri pas orës 9 ka qëndrua në dhomë. Me vdekë e me e lanë pacientin ashtu.. unë nuk di se çka të them”, ka deklaruar për Express djali i së ndjerës, Përparim Avdyli.
Ata japin versionin e tyre edhe për çështjen e qëndrimit të trupit të kufomës për orë të tëra në shtratin e Klinikës së Pulmologjisë. E derisa janë kryer procedurat për lëshimin e trupit të pajetë, në momentin kur familjarët ishin gati për ta marrë turpin e pajetë të 74-vjeçares, në Klinikën e Pulmologjisë nuk punonte lifti.
“Njëherë trupi i nënës ka ndejt aty deri sa i kanë rregullu letrat. Pastaj unë e kam thirë menjëherë atë djalin, një mjeke ma ka gjetë numrin aty. Mandej lifti u prish. U deshtë me pritë ma shumë se një orë për me e tërheq kufomën. Shkallëve poshtë nuk na lenin të zbresim”, deklaron për Express familja e së ndjerës.
Djali i viktimës deklaron se e ka njoftuar edhe policinë rreth këtij rasti. “Kam thirrë në polici, ata më thanë duhesh me ardhë këtu me e raportua rastin”, deklaron familja. /Gazeta Shneta/