Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi, kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa në Shërbimin Kardiokirurgjik i cili udhëhiqet nga internisti Dr. Tefik Bekteshi.
Këto masa pritet të merren pas një skandali që ka ndodhur në këtë klinikë, ku Bekteshi nuk e ka lejuar një kardiokirurg italian që të kryej një operacion në zemër të hapur tek një fëmijë kosovar, shkruan Gazeta Shneta.
Krasniqi ka deklaruar se për këtë rast ishte njoftuar nga Bekteshi përmes telefonit të cilit fillimisht i kishte kërkuar që në bazë të nevojës së pacientit, të koordinohen me mjekun italian. Por sipas tij kjo telefonatë është keqpërdorur nga Bekteshi, për të dhënë deklarata tendencioze. Krasniqi ka thënë se Bekteshi është internist me profesion, por udhëheq kardiokirurgjinë.
“Ju them me siguri dhe ju garantoj se do të respektoj rregullat për shërbimet për të cilat unë jam përgjegjës. Unë jam thirrë në ditën që pretendohet se ka ndodhur ky skandal me kërkesë nga drejtori i Kardiokirugjisë që me profesion është internist. Unë kam kërkuar që të bashkëpunojnë. Ju lutem që të koordinoni aktivitetet nëse është e nevojshme. Është e papranueshme që telefonatat private të shfrytëzohen për tendenca”, ka deklaruar Krasniqi.
Për këtë rast ka folur edhe ministri Zemaj i cili duke aluduar në Bekteshin, ka thënë se do të kërkojnë përgjegjësi ndaj të gjithë drejtorëve të klinikave për punën e tyre.
“Do të kërkojmë llogari dhe përgjegjësi ndaj të gjithë individëve, e sidomos drejtorëve të klinikave të cilët synojnë të shantazhojnë për të mbuluar përgjegjësinë e tyre”, ka deklaruar Zemaj.
Për këtë rast ka dhënë një deklaratë për Gazetën Shneta edhe prindi i fëmijës N.B. Ai i ka quajtur të pavërteta deklaratat e drejtorit Bekteshi si dhe shefit Adem Grbolar për rastin e djalit të tij.
“Nuk janë të vërteta asnjë deklaratë e këtyre dy shefave në klinikë. Ata nuk kanë dashur ta lejojnë mjekun italian që ta kryej operacionin. Nuk e di arsyen për këtë. Fillimisht ai infermieri ka dashur të na ndihmojë, por më pas ndoshta i është tërhequr vërejtja nga shefat dhe ka kundërshtuar që fëmija të operohet në klinikë”, ka deklaruar prindi.
Fëmija më pas ishte operuar nga kardiokirurgu italian në një klinikë private në Prishtinë. /Gazeta Shneta/