Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka bërë një adresim sot para drejtorëve të klinikave të QKUK-së, të cilët i ka paralajmëruar për më shumë llogaridhënie dhe përgjegjësi dhe për matje të performancës së tyre.
“Neve na duhet progres në shëndetësi dhe ata që janë të lodhur e nuk mund ta përcjellin dinamikën e punës për shkak të përgjegjësisë duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të kryejnë detyrën e tyre me etikë dhe moral ashtu sic ju takon juve si mjek”, ka deklaruar Zemaj, shkruan Gazeta Shneta.
Zemaj ka thënë se tani jemi në një fazë më të qetë të pandemisë dhe e cila do të shfrytëzohet për ngritje të kapaciteteve dhe avancim të shërbimeve.
Ministri poashtu i ka paralajmëruar drejtorët e klinikave se do të ketë matje të performancës së tyre.
“Tash do të hyjmë në një dinamikë tjetër të matjes së performancës nga niveli më i lartë i MSH-së deri te niveli më i ultë. Nuk dëshiroj që si ministër numri i vdekshmërisë në klinikat tona të jetë statistikë e zezë në raport me vendet e rajonit. Andaj duhet të jemi më të përgjegjshëm në bazë të pozitave tona dhe të tregojmë më të mirën për avancimin e sistemit shëndetësor”, ka deklaruar Zemaj.
Kjo është hera e dytë e ministrit Zemaj që paralajmëron ndryshime në strukturat drejtuese të klinikave në QKUK. /Gazeta Shneta/