Ministri i Shëndëtësisë Armend Zemaj iu është drejtuar qytetarëve me një thirrje për respektimin e rekomandimeve kundër përhapjes së koronavirusit Covid-19.
Zemaj ka thënë se ky armik i padukshëm ka marr jetën e disa qytetarëve në Kosovë dhe mijëra të tjerëve në botë. Ministri ka deklaruar se pandemia tanimë ka prekur edhe institucionet kryesore të shtetit dhe kjo e hedh poshtë idenë se virusi nuk ekziston, transmeton Gazeta Shneta.
“Është detyrë e elitave intelektualëve, punëtorëve, burrave, grave, rinisë dhe gjyshërve, që të reflektojnë. Kujdesuni për familjen dhe të dashurit! Reduktoni kontaktet, që të evitohet përhapja e virusit! Të mos paguajmë kosto të lartë. Sistemi ynë shëndetësor të mos mbingarkohet”, ka shkruar Zemaj.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Armiku i padukshëm vazhdon ta kërcënon shëndetin tonë.
Disa qytetarë të Kosovës dhe mijëra persona në mbarë globin fatkeqësisht kanë humbur jetën.
Nga kjo pandemi së fundi janë prekur edhe institucionet kryesore të shtetit.
Kjo e hedh poshtë idenë e atyre që mendja iu punon për konspiracione dhe që pretendojnë se virusi nuk ekziston, ose e relativizojnë rrezikun e tij.
Kjo luftë po zhvillohet kryesisht në frontin e shëndetësisë.
I tërë personeli mjekësor në klinikat e QKUK dhe në spitalet rajonale është i mobilizuar maksimalisht.
Klinika Infektive në Prishtinë duhet përforcuar me kapacitete të reja.
Është detyrë e elitave intelektualëve, punëtorëve, burrave, grave, rinisë dhe gjyshërve, që të reflektojnë.
Kujdesuni për familjen dhe të dashurit!
Reduktoni kontaktet, që të evitohet përhapja e virusit!
Të mos paguajmë kosto të lartë. Sistemi ynë shëndetësor të mos mbingarkohet.
Respektoni udhëzimet e “Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19”.
Për mosrespektuesit e udhëzimeve dhe shkelësit e rregullave do të ketë gjoba dhe ndëshkime sipas ligjit.