Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka nënshkruar sot pesë udhërrëfyes klinikë për trajtimin e patologjive.
Zemaj në njoftimin e tij ka thënë se këta udhërrëfyes janë aprovuar nga Këshilli Kombëtar, ndërsa ka kërkuar nga profesionistët shëndetësorë që t’iu përmbahen atyre, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë nga Zemaj:
Në kuadër të kompetencave të mia ligjore kam nënshkruar sot pesë udhërrëfyes klinik.
Të njejtit kam nënshkruar vetëm pasi që të gjithë janë hartuar nga grupet punuese përkatëse, ekspertë të lëmive dhe janë vlerësuar nga Këshilli vlerësues dhe rekomanduar nga Këshillit Kombëtar për Udhërrëfyes dhe Protokole Klinike (KKUPK), pas kalimit të gjitha fazave të parapara me legjislacionin aktual në fuqi (UA 03/2019 për Udhërrëfyes dhe Protokolle Klinike).
Udhërrëfyesit e aprovuar dhe nënshkruar janë si në vijim;
1) Menaxhimi i gjakderdhjeve akute të traktit të sipërm gastrointestinal te të rriturit;
2) Diagnoza dhe manaxhimi i Epilepsisë;
3) Përdorimi i metadonit për trajtim mbajtës zëvendësues me opoide;
4) Trajtimi dhe mbikëqyrja e rasteve me HIV/AIDS; dhe
5) Trajtimi me dializë i të rriturve.
Udhërrëfyesit do t’i gjeni në ueb-faqen e MSh-së si dhe do t’u dërgohen të gjitha institucioneve shëndetësore publike dhe private në nivel vendi, me qëllim të zbatimit të rekomandimeve të përfshira në këta udhërrëfyes.
Secili institucion shëndetësor publik dhe privat janë të obliguar të i’u përmbahen këtyre udhërrëfyesve sepse kanë vetëm një qëllim t’u shërbejnë profesionistëve shëndetësor të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor për një menaxhim më të lehtë dhe më të saktë të rasteve nga patologjitë në fjalë.