Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka pritur sot në një takim kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti. Ky takim vjen pas rritjes së rasteve në kryeqytet, ku vetëm në 2 javët e fundit janë regjistruar mbi 700 raste të reja pozitive.
Zemaj ka deklaruar se kjo situatë është shqetësuese dhe ka paralajmëruar mbyllje për Prishtinën. “Dy javët e fundit, Prishtina ka qenë epiqendra e infeksionit në vendin tonë. Ky fakt shqetësues na detyron që shumë shpejtë të dalim me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, por, për Prishtinën në veçanti. Mbi 700 raste të reja me infeksion gjatë 14 ditëve të fundit, në kryeqytet, situatë kjo që kërkon mobilizim maksimal të të gjithëve për të zbatuar në përpikëri dhe me rigorozitet vendimet e Qeverisë”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka kërkuar nga Ahmeti që të kenë më shumë vëmendje në shkolla, transportin publik, gastronomi dhe kudo që shfaqet rreziku nga virusi covid 19.
“Kërkova të zbatohen rreptësishtë rekomandimet si mbajtja e distancës fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, për të pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit në hapësirat e mbyllura. Prishtina është kryeqytet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, por assesi nuk mund të lejojmë të jetë vatër e infeksionit”, ka deklaruar Zemaj.
Në anën tjetër Ahmeti ka thënë se nuk janë të interesuar që të marrin masa të reja, por për të mos ndodhur kjo ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në respektimin e masave.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Zemaj. Do të punojmë bashkë të mos ketë restrikcione shtesë, po mundohemi mos me pasë, nuk varet nga komuna dhe ministria, por nga qytetarët. Nuk jemi të interesuar të bëjmë karantina, me e reduktua orarin, por kjo ndodh vetëm nëse jemi na bashkëpunim me qytetarët dhe respektohen masat”, ka deklaruar Ahmeti.
“Dje kam ngritur një alarm, sepse para një muaji kemi pasur një krizë më të madhe kur tjerët vende nuk e kanë pasur. Krejt Evropa është duke shku kah mbyllja, kurse ne kemi pasur nën 100 raste në 1 milion banorë”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se numri i rasteve në Prishtinë është më i madh se në qytetet tjera sepse në kryeqytet po bëhen më shumë testime. /Gazeta Shneta/