A ndihmojnë vërtet dushët e ftohtë apo banjat me akull pas një stërvitjeje intensive, apo thjesht janë një trend pa bazë? Një studim i ri tregon se ka disa të dhëna shkencore që mbështesin këtë praktikë gjithnjë e më të përhapur.
Studiuesit analizuan 11 hulumtime të mëparshme që përfshinin rreth 3,200 sportistë dhe individë të fokusuar në mirëqenie. Në përgjithësi, pjesëmarrësit raportuan reduktim të stresit, përmirësim të gjumit dhe cilësi më të mirë të jetës pas zhytjeve në ujë të ftohtë shkruan HealthDay transmeton GazetaShneta.
Megjithatë, përfitimet nuk janë afatgjata. Studimi tregoi se zhytjet në ujë të ftohtë mund të ulin stresin, por efekti zgjat vetëm rreth 12 orë. Gjithashtu, dushët e ftohtë mund të përmirësojnë disi cilësinë e jetës, por ky ndikim zbehet pas disa muajsh.
Një tjetër zbulim interesant ishte lidhja me përmirësimin e gjumit, por këto të dhëna ishin të kufizuara vetëm te meshkujt.
Megjithatë, studiuesit zbuluan edhe një fakt befasues: zhytjet në ujë të ftohtë shkaktojnë një rritje të përkohshme të inflamacionit. Një nga autorët e studimit thekson se personat me probleme shëndetësore ekzistuese duhet të jenë të kujdesshëm, pasi inflamacioni fillestar mund të ketë ndikime të dëmshme.


