Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar raportin e auditimit me Opinion të Kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
ZKA në këtë raport ka gjetur disa parregullsi në regjistrimin e pasurive kapitale, keqklasifikimin e shpenzimeve të prezantuara, prezantim jo i drejtë i informatave mbi buxhetin, etj, shkruan Gazeta Shneta.
“- Prezantimi dhe shpalosja e regjistrit të pasurive kapitale në PFV ishte nënvlerësuar për 8,415,650€, ndërsa regjistri i pasurive jokapitale ishte nënvlerësuar për 662,078€ si pasojë e mos regjistrimit të pasurive dhe klasifikimit të gabuar në regjistra.
– Shpenzimet e prezantuara në PFV ishin keqklasifikuar në vlerë 3,857,681€ duke ndikuar në mbivlerësimin/ nënvlerësimin e kategorive ekonomike adekuate.
– Buxheti fillestar dhe final i të hyrave në Pasqyrën e ekzekutimit të buxhetit në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) ishte nënvlerësuar për 1,048,801€, për shkak të prezantimit jo të drejtë të informatave mbi buxhentin.
– Si rezultat i mungesës së vlerësimit jo të duhur financiar dhe mos përditësimit të regjistrit, detyrimet kontingjente ishin mbivlerësuar për 233,634€.
– Stoku farmaceutik i shpalosur në PVF ishte mbivlerësuar për shkak te përfshirjes së artikujve me afat të skaduar në vlerë 58,154€.
– Në Spitalin e Prizrenit pasuria “Kombi Bus-4 dyer” figuronte në regjistrat e pasurisë, por nuk është arritur të konfirmohet ekzistenca e saj fizike”, thuhet në raportin e ZKA-së
Disa nga gjetjet e ZKA-së:
“Nga mangësitë e identifikuara lidhur me mbajtjen e regjistrave të pasurive, ka rezultuar se vlera e pasurisë kapitale në regjistra ishte nënvlerësuar për 8,415,650€ (e ndikuar nga nënvlerësimi prej 8,866,398€ dhe mbivlerësimi prej 450,750€), ndërsa regjistri i pasurisë jokapitale ishte nënvlerësuar për 662,078 .”
“Pasuritë e blera lidhur me kontratën “Furnizimi me produkte për personat paraplegjik dhe tetraplegjik”, të pashpërndara të përfituesit deri në fund të vitit ishin në vlerë 6,293,374€ (nga të cilat pajisje mbi 1,000€ ishin në vlerë 5,631,296€ dhe pajisje nen 1,000€ ishin në vlerë 662,078€). Të njëjtat nuk figuronin të regjistruara në asnjërin regjistër të pasurive;”
“Mosregjistrimit të pagesave të vitit në lidhje me projektet: “Modernizimi i infrastrukturës së SHSKUK” – tri pagesa në vlerë të përbashkët 2,385,431€, “Adaptimi i koridoreve të QKUK-së”- një pagesë në vlerë 84,699€, “Renovimi dhe riorganizimi i reparteve Pediatri dhe Interno – Spitali i Përgjithshëm Prizren” – një pagesë në vlerë 341,502€”, si dhe Regjistrimi i pjesshëm i tri faturave të vitit në vlerë të përbashkët 752,750€, duke mbetur pa u regjistruar pasuri në vlerë 423,470€”
“Tri pajisje mjekësore të blera në vitin 2008 janë klasifikuar me jetëgjatësi 40 vite si objekte shëndetësore, në vend se të ishin regjistruar me jetëgjatësi pesë (5) vite si pajisje mjekësore, duke mbivlerësuar regjistrin e pasurive për 348,767€; 19 frigoriferë medicinal (300L), të blerë në vitin 2019, janë klasifikuar si objekte shëndetësore me jetëgjatësi 40 vite, në vend se të ishin regjistruar me jetëgjatësi pesë (5) vite si pajisje mjekësore, duke mbivlerësuar regjistrin e pasurive për 23,750€; Regjistri ishte mbivlerësuar për shkak mbajtjes gabimisht të pajisjes dhe projekteve që kane pranim teknik, në klasën “investime ne vijim” duke mos u aplikuar zhvlerësimi, si në vijim: Një pajisje mjekësore e blerë në vitin 2021 me vlerë blerëse 33,400€ ka mbivlerësuar regjistrin e pasurive për 32,287€; dy pagesa në vlerë 176,115€ për projektin e ndërtimit të Ambulancave Specialistike, pranimi teknik ishte realizuar në dhjetor 2019, ka mbivlerësuar regjistrin e pasurive për 26,417€; si dhe tri pagesa në vlerë 312,458€ për projektin e Kardiologjisë në Prizren pranimi teknik ishte realizuar në dhjetor 2023, ka mbivlerësuar regjistrin e pasurive për 19,529€.”
ZKA në raport ka theksuar përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së dhe Bordit Drejtues në vendosjen e kontrolleve të brendshme dhe mbikëqyrjen e proceseve.
“Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës për përgatitjen dhe prezantimin e drejtë të Pasqyrave Financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit në Sektorin Publik – Raportimi Financiar bazuar në Kontabilitetin e Parasë së Gatshme. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës edhe për vendosjen e kontrolleve të brendshme, të cilat i përcakton si të nevojshme për të mundësuar përgatitjen e Pasqyrave Financiare, pa keq deklarime materiale të shkaktuara, qoftë nga mashtrimi apo gabimi. Kjo përfshinë përmbushjen e kërkesave që burojnë nga Ligji nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Rregullorja nr. 01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizata Buxhetore”.
“Kryesues i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është përgjegjës për të siguruar mbikëqyrjen e procesit të raportimit financiar të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në raport.
Një Opinion i Kualifikuar i ZKA-së nënkupton kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e). /Gazeta Shneta/




