Teknikët e Klinikës së Radiologjisë në QKUK ende nuk janë rilicencuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës. Ata po dyshojnë se procesi i tyre po bllokohet në mënyrë që të detyrohen të kryejnë fakultetin në kolegjet private
Një nga teknikët e radiologjisë në QKUK, Fisnik Thaqi, po ankohet pse nuk është rilicencuar ende nga Oda e Infermierëve të Kosovës. Ai ka dyshime se po tentohet që të detyrohen të kryejnë fakultetin në njërin nga kolegjet private.
“Duhet të ndërhyjë ministri Uran Ismaili dhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu. Ata duhet ta ftojnë edhe Agjencinë Kundër Korrupsion. Duhet të merren masa ose jemi të detyruar ta bojkotojmë punën”.
“Ne punojmë që shumë vite në radiologji, unë kam përvojë 16-vjeçare në rentgen. Po duan të na detyrojnë të kryejmë fakultet në kolegjet private, aty ku drejtori i Radiologjisë Bujar Gjikolli është dekan. Kjo nuk është e drejtë, duhet të respektohet vendimi i OIK për barasvlerësimin e përvojës. Të gjithë teknikët tjerë janë rilicencuar, vetëm ne jo”, ka deklaruar Thaqi.
Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, ka thënë se sikurse teknikët e radiologjisë janë në pritje edhe shumë kategori të tjera dhe komisioni për valorizim të profileve të caktuara është në proces të shqyrtimit edhe të dosjeve të gjithë aplikantëve të Radiologjisë. Ai ka thënë se OIK ka kërkuar sqarime për disa kategori nga klinikat për katëse, përfshirë Radiologjinë.
“Kërkesa jonë është bërë me qëllim që këta profesionistë të na njoftojnë me modulet që kanë përfunduar, në mënyrë që ata që nuk kanë kryer modulet përkatëse t’i kryejnë dhe të ri-licencohen. Ata që nuk kanë kryer dhe nuk kryejnë këto module nuk mund të ri-licencohen në specifikat e tyre”, thuhet në përgjigjen e Rrustemajt.
Ai ka deklaruar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë dokument, shkresë apo kërkesë nga drejtori i Radiologjisë në QKUK, Dr. Bujar Gjikolli. “Oda e Infermierëve të Kosovës nuk ka pranuar asnjë dokument, shkresë apo kërkesë nga ky person”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Rrustemaj.
Në pyetjen se a ka tendenca për t’i detyruar teknikët që të kryejnë fakultetin në njërin nga kolegjet private, Rrustemaj ka dhënë një përgjigje të përgjithshme ku shpreh dëshirën e tij që infermierët të jenë sa më të shkolluar. Ndërsa Rrustemaj nuk ka dhënë sqarime pse nuk po respektohet vendimi i OIK për barasvlerësimin e përvojës së punës në rastin e teknikëve të radiologjisë. “Teknikët e radiologjisë janë në proces të ri-licencimit bazuar në kriteret e Këshillit Drejtues të OIK-ut”, ka deklaruar ai në përgjigjen e tij.
Vendimi i datës 09.08.2018 i OIK përcakton që “Të gjithë anëtarët e OIK të sistemuar në vendet specifike të punës (brenda katalogut të profileve zyrtare në shëndetësi), me thirrjen jashtë profilit të licencuar, që kanë mbi 5 vite përvojë pune në institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për ushtrimin e veprimtarisë ju barasvlerësohet thirrja profesionale dhe krahas profilit bazik i licencohet edhe profili specifik”, thuhet në pikën 1.
Ndryshe nga Rrustemaj, drejtori i Radiologjisë deklaron krejt diçka tjetër. Dr. Bujar Gjikolli thotë se klinika të cilën e udhëheq ai ka kërkuar nga OIK t’i informojë për shkollimin e teknikëve dhe arsyet pse nuk janë licencuar. Gjikolli thotë se OIK i ka dërguar vetëm numrin e teknikëve që nuk janë të licencuar.
“Nga Oda e infermiereve kemi kërkuar të na informojnë për shkollimin e secilit prej atyre të cilët nuk i ka licencuar Oda dhe shpresojmë edhe arsyet pse nuk i licenuar ajo vet. Ne nuk kemi të drejtë të licencojmë ose përcaktojmë principe të barasvlerësimit pa u dakorduar të gjitha institucionet. Së pari, ne nuk dijmë pse ata nuk i kanë licencuar e as jemi të kyçur fare në këtë proces”, ka deklaruar Gjikolli në përgjigjen zyrtare të dërguar nëpërmjet Zyrës për Informim të QKUK-së.
Gazeta ka pyetur Gjikollin nëse ka tendenca për t’i detyruar teknikët që të regjistrojnë fakultetin në kolegjet private, në mënyrë që të fitojnë të drejtën e rilicencimit por ai ka thënë se mund të ofrojnë trajnime profesionale.
“Ne mundemi të ofrojmë trajnime profesionale, pregadisimin një program të cilin Oda e infermiereve do të pranoj dhe bashkarisht me Agjencionin per mbrojtje nga rrezatimi, me fizicientet poashtu të përcaktojmë minimumin e pragut të dijes të cilin ata duhet të dijnë për të lëshuar një letër me të cilin Oda do të mund t’i licencoj ata”, thuhet në përgjigjen e Gjikollit. /Gazeta Shneta/