Zyra Ligjore e Kryeministrit të Kosovës ka deklaruar se mbajtja e grevës së punëtorëve shëndetësorë në gjendje emergjente, sikurse është pandemia, është e jashtëligjshme.
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Drejtave të Pacientëve Besim Kodra, ka kërkuar një sqarim nga Zyra Ligjore e Kryeministrit Albin Kurti, për ligjshmërinë e mbajtjes së grevave të organizuara nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
PRAK në këtë kërkesë është bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetit publik në mars të vitit 2020.
Kodra ka publikuar përgjigjen e Zyrës Ligjore ku thuhet se vendimi për gjendjen emergjente është ende në fuqi dhe kësisoj e bën të pamundur ligjërisht mbajtjen e grevës.
Sipas kësaj zyre, Ligji për Greva në nenin 15 rregullon pamundësinë e mbajtjes së grevave gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme brenda kuptimit të Nenit 15.
“Fatkeqësitë natyrore, gjendja e luftës, epidemitë dhe rastet kur vihet në rrezik liria e zgjedhjeve”, thuhet në këtë nen.
Tutje zyra ligjore ka deklaruar se edhe pandemia përfshihet në këtë gjendje.
“Megjithëse paragrafi 2 i nenit 15 nuk e liston ‘pandeminë’ në kuadër të gjendjeve të jashtëzakonshme, marrë parasysh shtrirjen globale të pandemisë në krahasim me atë të kufizuar të epidemisë, konsiderohet se Neni 15 aplikohet për aq sa zgjat emergjenca në shëndetin publik e shpallur me vendimin e Qeverisë Nr.1/11 të datës 15.03.2021”, thuhet në këtë përgjigje të Zyrës Ligjore.
Kujtojmë se FSSHK ka organizuar dy greva tetë orëshe në institucionet publike shëndetësore me kërkesë për procedimin e ligjit të pagave.
Besim Kodra ka deklaruar se tani me këtë çështje do të duhej të merreshin organet e drejtësisë.
“Viktimizimi i pacientëve me veprime jo ligjore është i pa pranueshëm! Me këtë qështje do të duhej të merreshin institucionet e drejtësisë! Kërkoni paga e mos u ndalni asnjëhere, por pacientët nuk u’a kanë me borxh dhimbjen që ju të rrisni mirëqenien! Ata mos i përdorni si armë në luftën që ju e bëni për rritjen e mirëqenies”, ka thënë Kodra. /Gazeta Shneta/