Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar tregojnë një rënie shqetësuese të vaksinimeve të fëmijëve në Angli.
Gati 19% e fëmijëve 5-vjeçarë nuk kanë marrë dozën përforcuese parashkollore, e cila mbron nga sëmundje serioze si poliomieliti, kollitja e mirë, tetanozi dhe difteria.
Krahasuar me një dekadë më parë, kur kjo shifër ishte 13.7%, rritja e mosvaksinimit shihet si një kërcënim serioz për shëndetin publik. Situata paraqitet më problematike në Londër, ku mbulimi me vaksina është më i ulët, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e imunizimit po krijon terren për rikthimin e sëmundjeve të rrezikshme. Shpërthimi i fundit i fruthit në Angli, që preku mbi 700 fëmijë dhe shkaktoi një viktimë, është parë si “sinjal alarmi” nga autoritetet shëndetësore.
Arsyet e kësaj rënieje lidhen me ndikimin e lëvizjeve kundër vaksinimit, mungesën e ndërgjegjësimit të prindërve dhe vështirësitë praktike për të siguruar një takim mjekësor në kohë.
Për të përmirësuar situatën, NHS Anglia ka nisur klinika shtesë vaksinimi, programe rikuperimi në shkolla dhe fushata sensibilizuese në zonat me mbulim të ulët.
Ekspertët u bëjnë thirrje prindërve të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe mjekëve t’u kushtojnë kohë sqarimit të çdo shqetësimi.
“Çdo fëmijë i pavaksinuar rrezikon të përballet me sëmundje që mund të parandalohen lehtësisht,” theksojnë autoritetet shëndetësore./Gazeta Shneta/


