Infektologu i QKUK-së, Dr. Murat Mehmeti, ka folur për situatën aktuale të HIV/AIDS në Kosovë, duke theksuar se virusi HIV mbetet një sëmundje infektive serioze, e cila transmetohet kryesisht përmes kontaktit seksual të pambrojtur, nga nëna te fëmija dhe përmes gjakut.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 31 raste me infeksionin HIV/AIDS dhe gjashtë vdekje si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Ndërkohë, rastet e reja me HIV kanë shënuar rritje vitet e fundit, duke e bërë situatën më kërkuese për ndërhyrje të hershme dhe edukim, shkruan Gazeta Shneta.
Megjithatë, Dr. Mehmeti vlerëson se gjendja aktuale është e qëndrueshme dhe e menaxhueshme, dhe thekson se vendi ka terapi efikase dhe të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve me HIV.
“Situata aktuale eshtë e qëndrueshme edhe pse vitet e fundit ka rritje te numrit te rasteve te reja” u shpreh Dr. Mehmeti.
Sipas tij, shumë simptomave shpesh ngatërrohen me infeksione të zakonshme, çka e bën të rëndësishëm testimin e rregullt.
“Shenjat kryesore pas infeksionit apo faza akute paraqitet me temperature,ethe,plogeshti,rritje te gjendrrave limfatike,dhimbje trupit nyjeve etj” theksoi Dr. Mehmeti.
Ai shtoi se diagnostikimi i HIV-it kryhet përmes testeve rapide në institucione private dhe në Klinikën Infektive, ndërsa testet serologjike, Western Blot dhe PCR realizohen në IKSHPK.
“Faktorët kryesorë të rrezikut për infeksionin me HIV përfshijnë marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, veçanërisht ato anale, praninë e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST) që rrisin ndjeshmërinë ndaj virusit, si dhe mungesën e informacionit për mënyrat e transmetimit të HIV-it.” shton Dr. Mehmeti sa i përket mënyrës së përhapjes.
Sa i përket parandalimit, Dr. Mehmeti vuri theksin në përdorimin e kondomëve, testimin e rregullt, përdorimin e barnave parandaluese PrEP dhe PEP, trajtimin e hershëm, si dhe domosdoshmërinë e uljes së stigmes dhe paragjykimeve.
Dr. Mehmeti theksoi se të rinjtë në Kosovë ende nuk janë të informuar sa duhet për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV/AIDS. Ai apeloi për më shumë edukim seksual në shkolla, fushata vetëdijesuese, testime të rregullta dhe komunikim të hapur e pa paragjykime./Gazeta Shneta/




