Australia është bërë vendi i parë në botë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një masë që pritet të hyjë në fuqi më 10 dhjetor.
Ekspertët thonë se vendi tashmë do të shndërrohet në një “laborator real” për të studiuar ndikimin e teknologjisë tek të rinjtë.
Përkrahësit e ligjit theksojnë se shumë studime lidhin kohën e tepërt online me ankth, depresion, gjumë të dobët dhe rrezik të shtuar për bullizëm kibernetik.
Megjithatë, kundërshtarët paralajmërojnë se mungon prova e fortë shkencore që e justifikon një ndalim kaq të gjerë.
Ekspertët australianë po nisin studimin “Connected Minds”, ku do të monitorojnë adoleshentët 13–16 vjeç për të vlerësuar efektet e ndalimit në mirëqenien e tyre.
Ndërkohë, mbi 140 akademikë kanë nënshkruar një letër ku e quajnë ndalimin “mjet shumë të ashpër”, duke paralajmëruar se masat drastike mund të shtyjnë të rinjtë drejt platformave më të rrezikshme dhe të izolojnë ata që gjejnë mbështetje online.


