Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Prof. Dr. Blerim Kamberi, ka marrë pjesë në Akademinë Solemne të organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Odës së Stomatologëve të Maqedonisë, e mbajtur më 12 qershor në Shkup.
Gjatë vizitës, Kamberi u takua me homologun e tij maqedonas, Prof. Dr. Blagoja Dastevski, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet dy odave profesionale dhe sfidat me të cilat përballet sektori i stomatologjisë në rajon.
Sipas njoftimit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, në takim u vlerësuan marrëdhëniet e deritanishme profesionale ndërmjet stomatologëve të dy vendeve, ndërsa u shpreh gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën profesionale dhe shkencore.
Në kuadër të akademisë, Oda e Stomatologëve të Maqedonisë i ndau Odës së Stomatologëve të Kosovës një mirënjohje, në shenjë të bashkëpunimit të ndërsjellë ndër vite.
Kryetari i OSK-së zhvilloi takime edhe me përfaqësues të odave stomatologjike nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Në këto takime u diskutua për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal në funksion të zhvillimit të profesionit të stomatologjisë.


