Gjatë muajve të dimrit, shumë persona përballen me thatësi, kruarje dhe irritim të lëkurës. Temperaturat e ulëta, era e ftohtë dhe ajri i thatë në ambiente të mbyllura ndikojnë drejtpërdrejt në dobësimin e pjesës mbrojtëse të lëkurës, duke e bërë atë më të ndjeshme dhe më të prirur ndaj problemeve të ndryshme.
Për të kuptuar pse ndodh kjo dhe si mund ta mbrojmë lëkurën gjatë sezonit të ftohtë, në rubrikën “Mjeku i Javës vjen Dr. Meriton Bytyçin, specialist i Dermatologjisë në MedPro Clinic në Ferizaj, i cili jep këshilla praktike për kujdesin e duhur gjatë dimrit.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Pse lëkura thahet dhe irritohet gjatë dimrit?
Dr. Bytyqi: Gjatë dimrit, ajri i ftohtë jashtë dhe ajri i thatë nga ngrohja e ambienteve të brendshme kanë lagështi të ulët, gjë që çon në tharjen e lëkurës. Temperaturat e ulëta reduktojnë gjithashtu sekretimin e sebumit, kjo e bën lëkurën më të thatë, të ndjeshme dhe më të prirur ndaj acarimeve.
Shneta: Cilat janë shenjat që tregojnë se lëkura është e dëmtuar?
Dr. Bytyqi: Shenjat kryesore janë: thatësi, ndjesi shtrëngimi, ashpërsi, skuqje dhe kruarje. Në raste më të rënda mund të shfaqen çarje ose lëkurë e zhveshur, si dhe ndjeshmëri kur aplikohen produkte kozmetike, që tregon dobësim të barrierës mbrojtëse.
Shneta: Si ndikon ajri i thatë dhe ndryshimi i temperaturave në lëkurë?
Dr. Bytyqi: Ajri i thatë i brendshëm ul lagështinë e lëkurës dhe e dehidraton atë. Kalimi i shpeshtë nga i ftohti jashtë në ambient të ngrohtë e streson lëkurën, dobëson barrierën mbrojtëse dhe mund të shkaktojë skuqje, kruarje dhe ndjeshmëri.
Shneta: Çfarë produkte përdoren për mbrojtjen e lëkurës gjatë dimrit?
Dr. Bytyqi: Rekomandohen kremra dhe balsam me teksturë më të pasur që forcojnë barrierën e lëkurës, si ato që përmbajnë: ceramide, glicerinë, acid hialuronik, panthenol ose niacinamide. Për lëkurë shumë të thatë ose të ndjeshme përdoren balsam më të trashë, ndërsa për fytyrë mund të përdoren kremra më të lehtë, por me veprim afatgjatë.
Shneta: A ka faktorë të tjerë që e përkeqësojnë gjendjen e lëkurës?
Dr. Bytyqi: Po. Gjendja përkeqësohet nga pirja e pakët e ujit, sapunët e fortë, produktet me aromë ose me alkool, dushi i nxehtë dhe eksfolimi i tepërt. Po ashtu, ekspozimi ndaj erës së ftohtë pa mbrojtje, stresi, mungesa e gjumit dhe sëmundje si ekzema apo psoriaza shpesh përkeqësojnë situatën.
Shneta: Çfarë masash mund të marrim për të shmangur irritimet dhe kruajtjet?
Dr. Bytyqi: Përdorimi i rregullt i kremrave hidratues pa aromë, veçanërisht pas larjes, ndihmon shumë. Dushi të jetë i shkurtër dhe me ujë të vakët, duke përdorur pastrues të butë pa sapun. Mbajtja e lagështisë në ambient, veshja mbrojtëse ndaj të ftohtit dhe hidratimi i mirë i trupit ndihmojnë që lëkura të qëndrojë e shëndetshme gjatë dimrit. /Gazeta Shneta/


