Analizat laboratorike janë një nga shtyllat kryesore të diagnostikimit modern, duke mundësuar zbulimin e hershëm të shumë sëmundjeve edhe para shfaqjes së simptomave. Për të kuptuar më mirë rolin e tyre në ruajtjen e shëndetit, në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës, kemi Dr. Leonora Hamiti- Blakqori, nga Spitali i Mitrovicës, e cila shpjegon rëndësinë e analizave laboratorike, interpretimin e tyre dhe rolin në diagnostikim dhe monitorim të sëmundjeve.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Sa e rëndësishme është analiza laboratorike në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve?
Dr. Hamiti-Blakqori: Analizat laboratorike kanë rol shumë të rëndësishëm në diagnostikimin dhe menaxhimin e sëmundjeve. Ato japin informacion të saktë për gjendjen shëndetësore, shpesh edhe para se simptomat të bëhen të dukshme. Analizat laboratorike ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve.
A mund të themi se analizat laboratorike janë baza e vendosjes së diagnozës?
Dr. Hamiti-Blakqori: Analizat laboratorike janë thelbësore për vendosjen e saktë të diagnozës. Po ashtu, përmes tyre bëhet monitorimi i ecurisë së sëmundjes dhe vlerësohet efektiviteti i trajtimit.
Cilat analiza laboratorike janë kryesore për diagnostikimin e anemisë?
Dr. Hamiti-Blakqori: Në radhë të parë ndihmon pasqyra e gjakut, ku shikohen numri i eritrociteve (rruzat e kuqe), hemoglobina dhe hematokriti. Gjithashtu analizohen hekuri, ferritina, transferina, vitamina B12 dhe acidi folik.
Cilat parametra biokimikë ndihmojnë në vlerësimin e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare?
Dr. Hamiti-Blakqori: Rrezikun për sëmundjet kardiovaskulare e tregojnë kolesteroli, trigliceridet, HDL, LDL (yndyrat dhe fraksionet e tyre), glikemia (sheqeri në gjak), HbA1c, lipoproteina (a), apolipoproteina B dhe homocisteina.
Cilat analiza tregojnë funksionin e mëlçisë?
Dr. Hamiti-Blakqori: Funksioni i mëlçisë vlerësohet përmes transaminazave AST dhe ALT, bilirubinës (totale dhe direkte) dhe GGT-së.
Kur duhet një pacient të shqetësohet për rezultatet e analizave?
Dr. Hamiti-Blakqori: Kur rezultatet tejkalojnë vlerat referente, kjo tregon se diçka nuk është në rregull dhe kërkon vëmendje.
Si diagnostikohen problemet me veshka përmes analizave laboratorike?
Dr. Hamiti-Blakqori: Problemet me veshka vërehen përmes rritjes së uresë dhe kreatininës, si dhe përmes analizës së urinës. Më pas vazhdohet me analiza të tjera shtesë.
Çfarë roli kanë kreatinina dhe urea?
Dr. Hamiti-Blakqori: Urea dhe kreatinina janë tregues të funksionit të veshkave. Vlerat e rritura tregojnë çrregullime të filtrimit glomerular, dëmtime të veshkave apo insuficiencë renale.
Cilat analiza përdoren për diagnostikimin e sëmundjeve të pankreasit?
Dr. Hamiti-Blakqori: Për pankreasin analizohen glukoza në gjak, HbA1c, amilaza dhe lipaza.
Si lidhen këto analiza me diabetin?
Dr. Hamiti-Blakqori: Lidhen sepse insulina, hormoni që rregullon nivelin e glikemisë, prodhohet në qelizat e pankreasit (ishujt e Langerhansit).
Si vlerësohet shëndeti i kockave përmes analizave?
Dr. Hamiti-Blakqori: Analizohen kalciumi (Ca), fosfori (P), vitamina D, hormoni paratiroid (PTH), magnezi dhe fosfataza alkaline.
Cilat janë analizat kryesore për diagnostikimin e çrregullimeve të tiroides?
Dr. Hamiti-Blakqori: Për funksionin e gjëndrës tiroide bëhen analizat TSH, T3, T4, Anti-TPO dhe Anti-Tg.
Sa shpesh duhet kontrolluar kjo gjëndër?
Dr. Hamiti-Blakqori: Frekuencën e analizave e përcakton endokrinologu, në varësi të gjendjes së pacientit.
A mund të reflektohet stresi në analizat laboratorike?
Dr. Hamiti-Blakqori: Po, gjatë stresit rritet kortizoli (hormoni i stresit). Gjithashtu mund të rriten glikemia dhe yndyrat, si dhe të shfaqen çrregullime të tjera.
Sa e rëndësishme është interpretimi i analizave nga mjeku?
Dr. Hamiti-Blakqori- Analizat duhet të interpretohen nga mjeku, pasi ai ka njohuritë profesionale për të dhënë vlerësim të saktë.
Cilat analiza rekomandoni të bëhen rutinë për një person të shëndetshëm?
Dr. Hamit -Blakqori: Analizat rutinë përfshijnë pasqyrën e gjakut, sedimentin, glikeminë, kolesterolin, trigliceridet, AST, ALT, bilirubinën (totale dhe direkte), GGT dhe analizën e urinës.
Cili është mesazhi juaj për qytetarët?
Dr. Hamiti- Blakqori: Rekomandoj që të paktën dy herë në vit të bëhen analizat laboratorike rutinë, nëse nuk ka probleme shëndetësore. Kontrolli i rregullt dhe zbulimi i hershëm i çrregullimeve e bëjnë më të lehtë menaxhimin dhe trajtimin e tyre. /Gazeta Shneta/


