Gjëndra tiroide luan një rol kyç në funksionimin normal të organizmit, pasi hormonet që prodhon ndikojnë në metabolizëm, energji, temperaturën e trupit dhe shumë procese të tjera jetësore. Megjithatë, çrregullimet e saj shpesh kalojnë pa u vërejtur për shkak të simptomave që mund të ngatërrohen me probleme të tjera shëndetësore.
Në rubrikën “Mjeku i Javës”, endokrinologia Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet më të shpeshta të tiroides, faktorët e rrezikut, simptomat që nuk duhen neglizhuar, si dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Çfarë është gjëndra tiroide dhe cili është funksioni i saj në organizëm?
Dr. Serhati-Morina: Gjëndra tiroide është një gjëndër në formë fluture, e vendosur në pjesën e përparme të qafës, e cila prodhon dy hormone, T3 (trijodtironinën) dhe T4 (tiroksinën), të cilat kanë një rol të rëndësishëm në organizëm. Funksioni kryesor i gjëndrës tiroide është të kontrollojë mënyrën se si trupi përdor energjinë. Hormonet e saj ndikojnë në ritmin e zemrës, temperaturën e trupit, peshën trupore, tretjen, funksionin e muskujve dhe zhvillimin e sistemit nervor. Gjithashtu, ato janë të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin normal te fëmijët.
Cilat janë sëmundjet më të shpeshta që prekin tiroiden?
Dr. Serhati-Morina: Sëmundjet më të shpeshta të cilat i shohim në përditshmëri janë hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi. Hipotiroidizmi ndodh kur gjëndra tiroide prodhon më pak hormone sesa i nevojiten organizmit, ndërsa hipertiroidizmi kur prodhon më shumë hormone se normalja.
Mjaft të shpeshta janë sëmundjet autoimune të tiroides, si tiroiditi i Hashimotos, që është shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit, dhe sëmundja e Graves-it, e cila është një nga shkaqet kryesore të hipertiroidizmit. Nyjet e tiroides, të cilat në shumicën e rasteve janë beninje, janë po ashtu të shpeshta. Më rrallë mund të paraqitet edhe kanceri i tiroides, i cili në përgjithësi ka prognozë të mirë kur diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Cilat janë simptomat që duhet t’i bëjnë qytetarët të dyshojnë për probleme me tiroiden?
Dr. Serhati-Morina: Nuk ka simptoma që e tregojnë me siguri sëmundjen e gjëndrës tiroide. Zakonisht janë disa prej tyre që e detyrojnë një person të konsultohet me mjekun. Hipotireoza karakterizohet me lodhje të vazhdueshme, përgjumje, shtim në peshë pavarësisht ushqyerjes së njëjtë, ndjeshmëri ndaj të ftohtit, ulje të përqendrimit, kapsllëk, lëkurë të thatë, rënie të flokëve dhe çrregullime të ciklit menstrual te gratë. Hipertireoza karakterizohet me lodhje, rënie në peshë, djersitje të shtuar, rrahje të shpejta të zemrës, nervozizëm, shenja të ankthit, dridhje të duarve dhe pagjumësi. Shenja të tjera që nuk duhet neglizhuar janë fryrja e pjesës së përparme të qafës, ngjirja e zërit që zgjat dhe vështirësitë në gëlltitje.
Pse gratë preken më shpesh nga sëmundjet e tiroides sesa burrat?
Dr. Serhati-Morina: Sëmundjet e tiroides janë më të shpeshta te gratë kryesisht për shkak të predispozitës më të lartë për sëmundje autoimune. Hormonet seksuale femërore, veçanërisht estrogjenet, ndikojnë në funksionin e sistemit imunitar dhe rrisin prirjen për zhvillimin e autoimunitetit. Gjithashtu, faktorët gjenetikë dhe ndryshimet hormonale gjatë jetës riprodhuese të gruas kontribuojnë në këtë predispozicion.
Çfarë dallimi ka mes hipotiroidizmit dhe hipertiroidizmit?
Dr. Serhati-Morina: Janë dy çrregullime të kundërta të funksionit të gjëndrës tiroide. Hipotireoza është sëmundje që karakterizohet nga pamjaftueshmëria e funksionit të tiroides, e cila shoqërohet me prodhim të zvogëluar të hormoneve T3 dhe T4, ndërsa hipertireoza karakterizohet nga prodhimi i tepërt i këtyre hormoneve.
Si diagnostikohen çrregullimet e tiroides?
Dr. Serhati-Morina: Për të diagnostikuar sëmundjet e gjëndrës tiroide duhet të bëhet kombinimi i anamnezës, ekzaminimit fizik, analizave laboratorike dhe metodave imazherike.
Pas vlerësimit dhe identifikimit të simptomave dhe shenjave klinike, kryhen analizat laboratorike si TSH, e cila plotësohet me FT4 dhe FT3. Kur dyshohet për sëmundje autoimune kërkohen edhe antitrupat.
Ultrazëri i gjëndrës tiroide përdoret për vlerësimin e strukturës së saj dhe identifikimin e ndryshimeve të mundshme, ndërsa në raste të veçanta mund të nevojiten biopsia me gjilpërë të hollë ose ekzaminime të mjekësisë nukleare.
A ka faktorë rreziku që ndikojnë në zhvillimin e këtyre sëmundjeve?
Dr. Serhati-Morina: Ekzistojnë disa faktorë rreziku që lidhen me zhvillimin e sëmundjeve të tiroides. Ndër më të rëndësishmit janë predispozicioni gjenetik, gjinia femërore, mosha, prania e sëmundjeve autoimune, çrregullimet e marrjes së jodit, ekspozimi ndaj rrezatimit në zonën e qafës dhe disa medikamente si amiodaroni, litiumi dhe disa terapi onkologjike.
A mund të ndikojnë problemet me tiroiden në peshën trupore dhe energjinë e përditshme?
Dr. Serhati-Morina: Hormonet e gjëndrës tiroide luajnë një rol të rëndësishëm në rregullimin e metabolizmit dhe shpenzimit të energjisë në organizëm, prandaj çrregullimet e funksionit të saj mund të ndikojnë në peshën trupore. Te hipotiroidizmi metabolizmi ngadalësohet, gjë që shoqërohet me lodhje, përgjumje dhe shtim në peshë. Te hipertiroidizmi metabolizmi përshpejtohet, duke shkaktuar humbje në peshë, nervozizëm të shtuar dhe lodhje. Megjithatë, duhet theksuar se ndryshimet në peshë varen nga shumë faktorë dhe jo vetëm nga funksioni i tiroides.
Si trajtohen më së shpeshti sëmundjet e tiroides?
Dr. Serhati-Morina: Sëmundjet e tiroides trajtohen varësisht nga lloji i çrregullimit dhe shkaku që e ka shkaktuar atë. Në rastet kur tiroidja prodhon më pak hormone sesa duhet, trajtimi bëhet duke zëvendësuar hormonet e tiroides me tableta që merren çdo ditë. Kur tiroideja prodhon më shumë hormone se normalisht, përdoren barna që ulin prodhimin e hormoneve tiroide. Në disa raste nevojitet trajtim me jod radioaktiv ose ndërhyrje kirurgjikale. Nyjet e tiroides shumicën e herëve vetëm monitorohen me ultrazë, ndërsa në raste të caktuara kërkohet biopsi ose operacion. Edhe kanceri i tiroides trajtohet kryesisht me kirurgji, i shoqëruar me trajtime të tjera sipas rastit.
A mund të parandalohen sëmundjet e tiroides?
Dr. Serhati-Morina: Meqë shumica e sëmundjeve të tiroides lidhen me faktorë gjenetikë dhe procese autoimune, nuk mund të themi se mund të parandalohen plotësisht.
Megjithatë, disa masa mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të çrregullimeve të tiroides, si marrja e mjaftueshme e jodit përmes ushqimit, shmangia e ekspozimit të panevojshëm ndaj rrezatimit në zonën e qafës dhe kryerja e kontrolleve mjekësore te personat që kanë histori familjare të sëmundjeve të tiroides.
Çfarë këshille do t’u jepnit personave që vuajnë nga çrregullimet e tiroides?
Dr. Rreze Serhati-Morina: Këshilla ime për personat që vuajnë nga çrregullimet e tiroides është të mos neglizhojnë kontrollet e rregullta mjekësore dhe të ndjekin trajtimin e përshkruar nga mjeku.
Sa shpesh duhet të bëhen kontrollet tek personat që kanë probleme me tiroiden?
Dr. Rreze Serhati-Morina: Pacientët e diagnostikuar rishtazi ose ata që kanë ndryshime në terapi kanë nevojë për kontrolle më të shpeshta, zakonisht çdo 6–8 javë, derisa të stabilizohet gjendja shëndetësore. Pasi gjendja të jetë stabilizuar, kontrollet laboratorike dhe vizitat mjekësore zakonisht rekomandohen çdo 6 deri në 12 muaj.Te nyjet e tiroides nevojiten kontrolle periodike me ultrazë, sipas rekomandimit të mjekut. Kontrollet e rregullta janë të rëndësishme për të vlerësuar efektivitetin e trajtimit, për monitorimin e ecurisë së sëmundjes dhe për parandalimin e komplikimeve të mundshme.


