Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), është kryer një operacion shumë i rrallë, për herë të parë, i njohur si Bypass aorto-bifemoral me graft vaskular “Dacron”.
Operacioni zgjati 5 orë dhe u realizua për një pacient 48-vjeçar që vuante nga një sëmundje aterosklerotike e aortës abdominale, duke përfshirë edhe një anomali shumë të rrallë të venës kava inferior të dyfishtë (duplicated inferior vena cava – DIVC), e cila prek vetëm 0.05% të rasteve.
Intervenimi, është realizuar nga një ekip i kualifikuar mjekësor, i udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Lulzim Vokrri, dhe përfshinte gjithashtu Dr. Hajriz Rudari, Dr. Ramë Gashani, Dr. Albion Haxhijaha dhe Antigona instrumentare, ndërsa anestezionin e ka udhëhequr Dr. Flora Marashi.
Ky operacioni i suksesshëm përfshiu përdorimin e graftit vaskular sintetik “Dacron” në formë “Y”, për të krijuar një bypass nga aorta abdominale deri në arteriet femorale, duke mundësuar kështu rrjedhjen normale të gjakut në këmbë. /Gazeta Shneta/




