Një analizë e re nga Global Burden of Disease Study, e publikuar në revistën The Lancet, paralajmëron se numri i vdekjeve nga kanceri do të rritet në mbi 18.6 milionë deri në vitin 2050, gati 75% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Po ashtu, mbi 30 milionë njerëz pritet të marrin një diagnozë të re me kancer.
Sipas studimit, më shumë se gjysma e rasteve të reja dhe dy të tretat e vdekjeve do të ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku mungesa e fondeve dhe qasjes në diagnostikim e trajtim e bën situatën edhe më alarmante, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Në vitin 2023, kanceri shkaktoi 10.4 milionë vdekje, ndërsa u regjistruan 18.5 milionë raste të reja. Kanceri i gjirit ishte më i diagnostikuari, ndërsa kanceri i mushkërive, trakesë dhe bronkeve shkaktoi më shumë vdekje.
Raporti thekson se 42% e vdekjeve nga kanceri lidhen me faktorë të modifikueshëm si përdorimi i duhanit, dieta e pashëndetshme, obeziteti, niveli i lartë i sheqerit në gjak, alkooli dhe ndotja e ajrit.
Vetëm duhani ishte përgjegjës për 21% të vdekjeve globale nga kanceri.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e barrës së kancerit, sidomos në vendet me burime të kufizuara, është një “krizë në ardhje” dhe kërkon veprime të menjëhershme, investime në diagnostikim të hershëm, trajtime cilësore dhe politika gjithëpërfshirëse për parandalimin e sëmundjes./Gazeta Shneta/


