Apple ka njoftuar një funksion të ri në ‘Apple Watch’ që synon të ndihmojë në zbulimin e hipertensionit, një gjendje që shpesh mbetet e padiagnostikuar. Kompania pret që vetëm në vitin e parë të identifikojë mbi një milion raste të tensionit të lartë të panjohur më parë.
Pasi të marrë miratimin nga autoritetet rregullatore, ora do të përdorë sensorin e dritës për të analizuar reagimin e enëve të gjakut ndaj rrahjeve të zemrës. Nëse vëren shenja të përsëritura të hipertensionit kronik, pajisja do të dërgojë një sinjal paralajmërues. Megjithatë, ora nuk jep matje të sakta të tensionit, por vetëm sugjeron përdorimin e një manometri klasik për konfirmim dhe konsultim me mjekun, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët e shëndetit theksojnë se ndonëse funksioni ka kufizime, ai mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për hipertensionin.
Sot, rreth 1.3 miliardë të rritur në botë vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, dhe gati gjysma nuk e dinë. Kjo gjendje shpesh nuk shfaq simptoma, por rrit rrezikun e infarktit, goditjes në tru dhe dëmtimit të veshkave.
Testet e Apple me mbi 2,200 pjesëmarrës treguan një ndjeshmëri prej rreth 41% dhe një saktësi prej 92%, çka do të thotë se ora mund të mos zbulojë shumë raste, por rrallë jep sinjale të rreme. Pajisja nuk rekomandohet për personat nën 22 vjeç, gratë shtatzëna ose ata me diagnozë të mëparshme hipertensioni.
Sipas kardiologëve, ora mund të shërbejë si mjet orientues për prirjet, por nuk duhet të zëvendësojë matjet mjekësore apo vendimet për trajtim. /Gazeta Shneta/


