Studime të mëparshme kanë treguar se një dietë e shëndetshme dhe konsumimi i disa substancave natyrale, si flavonoidet, antioksidantët, vitaminat dhe kafeina, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të demencës.
Një studim i ri, botuar në “JAMA”, shton prova për përfitimet e moderuara të kafeinës, duke treguar se konsumimi i kafesë ose çajit me kafeinë mund të ngadalësojë rënien njohëse dhe të ruajë funksionin mendor, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 131,000 pjesëmarrës të studimeve “Nurses’ Health Study” dhe “Health Professionals Follow-Up Study”, me periudha monitorimi deri në 43 vjet.
Rezultatet treguan se individët që konsumuan më shumë kafe me kafeinë kishin 18% rrezik më të ulët për demencë krahasuar me ata që konsumonin pak ose aspak.
Ata gjithashtu shfaqën më pak rënie të vetë-perceptuar të funksionit njohës dhe performuan më mirë në testet e funksionit kognitiv. Rezultate të ngjashme u vërejtën për personat që konsumuan çaj me kafeinë.
Përfitimet më të dukshme u shfaqën tek ata që konsumuan dy deri tre filxhanë kafe ose një deri dy filxhanë çaj me kafeinë çdo ditë.
Studiuesit theksojnë se efektet janë të vogla, por këto pije mund të jenë një pjesë e strategjive për ruajtjen e shëndetit njohës ndërsa plakemi.
Eksperti Daniel Wang, autor kryesor i studimit, tha: “Ndërsa efektet janë të moderuara, kafeja dhe çaji me kafeinë mund të jenë një nga mjetet për parandalimin e demencës, së bashku me mënyra të tjera jetese të shëndetshme.”
Ky studim konfirmon se përfitimet kognitive të kafeinës janë reale dhe të dukshme kur konsumohet në nivelin e moderuar të dy deri tre filxhanëve në ditë. /Gazeta Shneta/


