Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës: Dr. Sevdail Mustafa – Trajtimi i hernieve te të rinjtë

Mjeku i javës 01/06/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, kësaj radhe sjellim intervistën me Dr. Sevdail Mustafa, kirurg i përgjithshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Me rreth 26 vite përvojë profesionale në fushën e kirurgjisë në këtë institucion, Dr. Mustafa ka trajtuar një numër të madh rastesh, duke përfshirë edhe herniet, si një nga patologjitë më të shpeshta kirurgjikale në praktikën e përditshme.

Në këtë intervistë, ai flet për llojet e hernieve, shenjat alarmuese, trajtimin kirurgjikal dhe zhvillimet më të fundit në këtë fushë.

Intervista e plotë:

Shneta: Çka është hernia?

Dr. Mustafa: Hernia nënkupton fryrje apo gungëzim, pra dalje të indeve përmes vrimave të lindura ose të fituara në murin e abdomenit (barkut). Ato ndahen në hernie të jashtme, të cilat janë më të shpeshta, dhe në hernie të brendshme, të cilat janë më të rralla.

Sa i shpeshtë është ky problem në popullatë dhe a po vëreni rritje të rasteve?

Dr. Mustafa: Herniet janë raste mjaft të shpeshta që kërkojnë trajtim kirurgjik të planifikuar, por sfidë paraqesin rastet urgjente. Vërehet rritje e rasteve, kryesisht falë diagnostikimit më të mirë, udhëzimeve nga mjekësia primare dhe edukimit shëndetësor të popullatës, ku pacientët paraqiten më herët te mjeku.

Cilat janë llojet më të shpeshta të hernieve që trajtoni në praktikën tuaj?

Dr. Mustafa: Më të shpeshtat janë hernitë inguinale. Pas tyre vijnë hernitë umbilikale, epigastrike dhe femorale, të cilat janë më të rralla krahasuar me ato inguinale.

Në cilat raste hernia konsiderohet urgjencë kirurgjikale?

Dr. Mustafa: Urgjencë kirurgjikale konsiderohet çdo herni ku një organ intraabdominal është futur në qeskën herniale dhe nuk mund të rikthehet. Nëse kjo gjendje zgjat mbi 6 orë dhe nuk reduktohet, kërkon intervenim urgjent kirurgjik.

 Cilat janë shenjat kryesore që duhet ta alarmojnë pacientin?

Dr. Mustafa: Shenjat alarmuese janë fryrja në vendin e hernisë me dhimbje të forta, forcimi i murit të abdomenit, të vjellat si pasojë e ndërprerjes së kalueshmërisë së zorrëve (ileus), deri te gjendja e abdomenit akut, që është forma më e rëndë e hernisë së inkartuar.

Si vendoset indikacioni për operacion?

Dr. Mustafa: Indikacioni kirurgjik vendoset në dy raste: ndërhyrje urgjente në rastet e hernisë së inkartuar dhe trajtim i planifikuar (elektiv), ku operacioni nuk është emergjent, por është i domosdoshëm për trajtimin definitiv. Hernia trajtohet vetëm kirurgjikisht.

Cilat teknika kirurgjikale përdoren për riparimin e hernieve?

Dr. Mustafa: Ekzistojnë dy metoda kryesore: operacioni i hapur dhe ai laparoskopik. Në të dy rastet sot përdoret rrjeta (mesh) për përforcim të murit abdominal.

 Cilat janë përparësitë e laparoskopisë?

Dr. Mustafa: Laparoskopia është më pak traumatike për pacientin dhe mundëson rikuperim më të shpejtë, si dhe qëndrim më të shkurtër në spital krahasuar me kirurgjinë e hapur.

Sa zgjat një ndërhyrje kirurgjikale për hernie?

Dr. Mustafa: Mesatarisht zgjat nga 45 minuta deri në 1 orë. Megjithatë, më e rëndësishme është që operacioni të kryhet saktë dhe me sukses të plotë.

Cilat janë komplikimet më të shpeshta?

Dr. Mustafa: Komplikimet intraoperative mund të përfshijnë dëmtim të zorrëve, që mund të kërkojë resekcion. Ndërsa komplikimet postoperative përfshijnë infeksionin dhe rikthimin (recidivin) e hernisë.

Sa është rreziku i rikthimit të hernies?

Dr. Mustafa: Rikthimi është i rrallë, por mund të ndodhë nëse operacioni nuk është kryer si duhet ose nëse pacienti kthehet herët në aktivitete të rënda fizike para rekomandimeve të kirurgut.

Si menaxhohet dhimbja dhe rikuperimi?

Dr. Mustafa: Dhimbja menaxhohet kryesisht me terapi orale, ndërsa rikuperimi zakonisht ndodh brenda dy javëve.

Kur mund të kthehet pacienti në aktivitet normal?

Dr. Mustafa: Pacienti duhet t’u përmbahet rekomandimeve për të paktën dy javë dhe të shmangë aktivitetet e rënda fizike dhe ngritjen e peshave të rënda për së paku katër javë pas operacionit.

 Si ka evoluar trajtimi i hernieve?

Dr. Mustafa: Trajtimi i hernieve ka evoluar dukshëm me përdorimin e rrjetës kirurgjikale dhe teknikave laparoskopike, të cilat kanë përmirësuar rezultatet dhe rikuperimin e pacientëve./Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakHistorike: Ilaçi i ri kundër kancerit shpresëdhënës për pacientët
Artikulli i rradhës 39 aksidente trafiku në 24 orët e fundit

Ju sugjerojmë

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Osman Ramadani: Sëmundjet kardiovaskulare, faktorët e rrezikut dhe rëndësia e parandalimit.

08/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.