Gjatë mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërkombëtare të Stomatologjisë është zhvilluar një takim i përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve stomatologjike nga Kosova, Kroacia dhe Shqipëria.
Në takim morën pjesë kryetari i Odës të Stomatologëve të Kosovës, prof. dr. Blerim Kamberi, kryetari i Odës së Stomatologëve të Kroacisë, dr. Hrvoje Pezo, si dhe përfaqësuesi i Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, dr. Almiro Gurakuqi, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi është diskutuar për ecurinë e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet këtyre institucioneve, i cili është vlerësuar pozitivisht nga të gjitha palët. Po ashtu, janë shqyrtuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, konferencave shkencore, trajnimeve profesionale dhe projekteve në fushën e stomatologjisë.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe ideja për nënshkrimin e një marrëveshjeje tripalëshe bashkëpunimi, e cila pritet të konkretizojë format e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të adresojë çështje me interes të përbashkët për profesionin e stomatologut.
Palët janë zotuar për vazhdimin e komunikimit dhe koordinimit, me synim realizimin e iniciativave të përbashkëta që lidhen me zhvillimin dhe avancimin e praktikës stomatologjike në vendet përkatëse./Gazeta Shneta/




