Vendi është në “duart” e qeverisë së Albin Kurtit tash e 365 ditë. Nëse fokusohemi në sektorin e shëndetësisë, do të vërejmë që shumë pak është bërë në përmirësimin e jetës së pacientëve në nivel vendi e disa nga problemet madje as nuk janë përmendur në ndonjë konferencë për medie apo diskutim publik.
Listat e pritjes së pacientëve në klinika janë në rritje e sipër, barnat janë ende në mungesë e qytetarët shpenzojnë me mijëra euro brenda një viti.
Në nivele komunale gjendja është edhe më e rënduar për shkak të mungesës së barnave e materialeve tjera bazike për trajtim të pacientëve. Madje në këto qendra ka mungesë të dukshme të mjekëve.
Për një vit Qeveria Kurti dështoi të sigurojë tre përfaqësuesit e tre ministrive, asaj të Shëndetësisë, Financave dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në mënyrë që Bordi Drejtues i Fondit për Sigurime Shëndetësore të funksionalizohet. Si pasojë e kësaj për 365 ditë nuk është mbajtur asnjë takim nga ky bord por pavarësisht gjithë kësaj tre anëtarët e tjerë të këtij bordi kanë marrë pagën mujore me rregull. Pagat e tyre shtetit i kushtuan 24 mijë euro, për këtë askush nuk ka dhënë përgjegjësi.
Ndërsa njëri ndër premtimet e ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi, janë sigurimet shëndetësore të pacientëve si dhe sistemi informativ, për të cilat tash e më tepër se pesë muaj sa është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka dhënë ndonjë informacion se si qëndrojnë me procedurat.
Sa i përket pandemisë, Qeveria Kurti arriti të sigurojë kontratë me kompaninë Pfizer për vaksina, por poashtu do të mbahet mend për dështimin e menaxhimit të mbi 133 mijë vaksinave “AstraZeneca”, të cilave u skadoi afati. Këto vaksina ishin donacion dhe mbetën në depo sepse qytetarët refuzuan të merrnin këtë lloj të vaksinës, e institucionet dështuan t’ua argumentojnë atyre se “Astra Zeneca” nuk shkakton dëme anësore.
Ndonëse me vonesë, nëse krahasojmë me shtetet e rajonit, më 29 mars 2021 në Kosovë ka filluar fushata e vaksinimit kundër koronavirusit, për gati një vit janë administruar mbi 1,8 milion doza të vaksinave prej të cilave një pjesë e konsiderueshme janë donacione.
Sipas kryetari të Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, domosdoshmërisht duhet të jenë parasyshë reformat e parapara në sistemin shëndetësor për të cilat ai thotë se kanë ngecur për dy arsye “njëra marrja me menaxhimin e pandemisë dhe e dyta ndërrimet e shpeshta politike në Ministrinë e Shëndetësisë”.
Sipas Sejdiut Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është një strukturë organizative pa plan dhe impakt pozitiv në sistemin shëndetësor. “Dështimi dhe tolerimi i këtij dështimi total të ShSKUK-së si struktur organizative, pa një plan dhe pa asnjë impakt pozitiv në “sistem” shëndetësorë”, thotë ai në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Investimet milionëshe të shtetit që nuk ia panë hajrin pacientët
Spitali i Ferizajt nuk ka vazhduar të ndërtohet as në Qeverinë e Kurtit, spitali në Podujevë as nuk është nisur të ndërtohet, ndonëse ishte premtim i Qeverisë në buxhetin e vitit 2022 nuk është ndarë asnjë cent për ndërtimin e tij.
Mbi 8 milion eurot e taksapaguesve në vend ishin paraparë që të investoheshin për spitalin e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, projekti u la në gjysmë. Dosja e kontratës është në gjykatë ndërsa spitali tash e pesë vite nuk ka arritur të finalizohet dhe pacientët të marrin shërbime.
Shteti përveç dështimit për të finalizuar spitalet e për të sjellë shërbime më të mira për pacientët ka ngecur edhe në funksionalizimin e tyre.
Ndryshe nga spitali i Ferizajt, Podujevës dhe Emergjencës në QKUK, Spitali Pediatrik Kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është përuruar më shumë se gjashtë muaj më parë dhe asnjëherë nuk është funksionalizuar. Ky spital është ndërtuar në me donacion nga Emiratet e Bashkuara dhe ka kushtuar 22 milionë euro.
Çka thotë Opozita për menaxhimin e Qeverisë Kurti në shëndetësisë?
“Në shport të mbeturinave janë hedhur mbi 133 mijë doza të vaksinave ‘AstraZeneca’, interesimi për vaksinim nga ana e qytetarëve ka rënë dukshëm”, thotë deputeti nga Pardia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, njëherish anëtar i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqeniës Sociale, në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Haxhiu, një vit të Qeverisë Kurti 2 e quan regres në shëndetësi duke përmendur listat e pritjes së pacientëve dhe zvogëlimin e numrit të operacioneve.
“Nuk ka pas mbështetje as për pacientë, as për personelin shëndetesor, shtesat janë zvogëluar”, thotë ai.
Dështim të plotë të Qeverisë e cilëson aspektin legjislativ, deputeti i PDK-së, shprehet se për 365 ditë nuk është miratuar asnjë Ligj substancial për shëndetësi, madje ai thotë se ka pasur abuzim e keqmenaxhim edhe në procedura të varrimit.
“Në aspektin e menaxhimit kemi pas keqmenaxhim, abuzim me buxhetin, abuzim me blerje të barnave, abuzim e keqpërdorime deri në procedura të varrimit, interferime të Bordit të SHSKUK-së në përzgjedhje të drejtorëve të spitaleve dhe të klinikave, konkurse të kurdisura paraprakisht”, shprehet ai.
Sa i përketë stafit shëndetësorë, Haxhiu thotë se mantelbardhëve do të duhej t’u rritej paga “të menaxhohej me mirë shëndetësia, të reduktohen listat e pritjes e te ketë furnizim me të mirë me barna e të eleminohen kontratat e dyfishta”.
Pa agjendë e pa plan strategjik e konsideron Qeverinë Kurti, deputeti nga radhët e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
Ai thotë se është pritur 100 ditë për të ofruar një draft strategjik nga qeveria aktuale.
Brenda një viti, qeveria Kurti ka ndërruar dy ministra të shëndetësisë, fillimisht ka qenë në pozitën e Ministrit Arben Vitia, ndërsa tash është Rifat Latifi, i cili erdhi nga Amerika për të menaxhuar ministrinë e Shëndetësisë.
“Në kohën e pandemisë largon ministrin e shëndetësisë për garë në nivel të komunës së Prishtinës”, thekson Dreshaj, në një intervistë për Gazetën Shneta.
Sa i përketë Fondit për Sigurime Shëndetësore, anëtari i komisionit për shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, thotë se nuk kanë asnjë informacion se në cilën fazë janë sigurimet shëndetësore gjatë qeverisjes aktuale “për këtë kemi në program që së shpejti ministrin e shëndetësisë ta thërrasim në debat në komisionin për shëndetësi”.
“Shëndetësia duhet të konsiderohet prioritet i Qeverisë. Fondi për Ministrinë e Shëndetësisë të jetë adekuatë, që lista esenciale të kompletohet me qind për qind”, shtoi ai.
Në kohën sa ka qenë Avdullah Hoti kryeministër, dhe ministër i shëndetësisë ka qenë , Armend Zemaj, filloi shkollimi për specializim të mjekëve, katër vite me vonesë.
Nga shumë ekspertë të shëndetësisë, një gjë e tillë është cilësuar e keqmenaxhueshme për shkak se shumë qendra shëndetësore në nivel komunal kanë mbetur me staf të reduktuar të mjekëve.
Dreshaj thotë se shkollimi specialistik duhet të bëhet në baza vjetore “jo të presin mjekët pesë apo gjashtë vite dhe pastaj të grumbullohet një numer i madhë i tyre dhe të mbesim pa mjek. Kjo ka qenë një keqmenaxhim komplet duhet të bëhet presion që kjo qeveri por edhe qeveritë tjera që do vijnë të hapin konkursin të bazuar në nevojat dhe në strategjin sektoriave të shëndetësisë”.
“Nga Amerika në Kosovë për një shëndetësi më të mirë”
Kah mesi i nëntorit të vitit të kaluar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, u emërua, specialisti i Kirurgjisë, Rifat Latifi.
Ndonëse shumë pak javë kishte që Latifi, tashmë jo vetëm specialist i Kirurgjisë por edhe ministër kishte ardhur nga Amerika. Ai “u rikthye” përseri në Amerikë, pas disa ditësh pas marrjes së mandatit. Kësaj radhe ai shkoi për vizitë në mënyrë që “të mbajë kontakte me ekspertët shëndetësor në ShBA”.
Ai për këtë vizitë është kritikuar shumë, pasi që shumë qytetarë në vend ishin duke u ballafaqur me variantin e ri “Omicron” e nga Ministria e Shëndetësisë thuhej se “ministri po punon online nga ShBA”.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se ministri ende është duke u njoftuar për problemet në sistemin shëndetësor në vend.
“Ministri Latifi ende është duke u njoftuar me problematikat, ende nuk kemi pa program në përmirësimin apo menaxhimin efikas të sistemit shëndetsor”, shprehet ai.
Kujtojmë se Ministri aktual ka qenë këshilltar politik për shëndetësi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, thotë se sa i përketë menaxhimit të sistemit shëndetësor nga ana e Ministrit Latifi, lë shumë për të dëshiruar përderisa thekson se ministri ka startuar me një vonesë dhe ka filluar me një qeveri e cila, sipas tij, nuk ka strategji për qeverisje.
Në anën tjetër, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiut, thotë se është ende herët të jepet një vlersim për ministrin aktual.
Mbetet të shihet “rrugëtimi i Qeverisë” në tre vitet e ardhshme. /Gazeta Shneta/