Një burrë 38-vjeçar nga Britania e Madhe ka humbur jetën në Turqi pas një ndërhyrjeje për transplant flokësh.
Ai kishte udhëtuar drejt këtij vendi, i cili është kthyer në një destinacion të njohur për trajtime estetike, për t’iu nënshtruar procedurës në një klinikë private me emrin CINIK, e cila ndodhet në lagjen Beşiktaş të Stambollit.
Sipas mediave turke, veçanërisht portalit OdaTV, pacienti u ndje keq menjëherë pas ndërhyrjes që zgjati rreth pesë orë. Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe u vendos në njësinë e kujdesit intensiv, por, pavarësisht trajtimit mjekësor, ndërroi jetë pak më vonë.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, para se të kthehet në Britani. Autoritetet turke tashmë kanë nisur një hetim, ndërsa bëhet e ditur se ka dyshime për “vrasje nga pakujdesia”.
Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar tha për “Metro”:
“Po e mbështesim familjen e një qytetari britanik që ka ndërruar jetë në Turqi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale.”
Gazeta Metro ka kontaktuar klinikën për një deklaratë zyrtare.
Turqia ka fituar reputacion të madh në fushën e turizmit mjekësor, për shkak të çmimeve më të ulëta dhe afërsisë me Britaninë. Sot, rreth 60% e transplantimeve të flokëve në botë kryhen nga kirurgët turq. Vetëm në vitin 2022, mbi 150 mijë britanikë udhëtuan drejt Turqisë për ndërhyrje kozmetike, duke i sjellë këtij vendi më shumë se 2 miliardë paund në ekonomi.
Por jo të gjitha rastet përfundojnë me sukses.
Një nënë britanike e katër fëmijëve vazhdon të vuajë edhe pas tre vitesh nga komplikimet që i sollën implantet e gjoksit, ndërhyrja në bark dhe “Brazilian butt lift” – të gjitha të përfshira në një paketë prej 6,000 paundësh.
Në një tjetër rast tragjik, një student francez 24-vjeçar, Mathieu Vigier Latour, i dha fund jetës pasi iu nënshtrua një transplantimi të dështuar të mjekrës në Turqi – ndërhyrje e kryer nga një agjent i pasurive të paluajtshme që ishte maskuar si kirurg.
Ndërkohë që mijëra transplante flokësh përfundojnë pa probleme çdo vit, rastet e fundit kanë ngritur shqetësime të thella për sigurinë e pacientëve dhe përgjegjësinë e klinikave estetike.


