Fillimisht, ashtu si shumë persona të tjerë të trembur nga ekspozimi i fëmijëve, mjaft personazhe të njohura të showbiz-it tonë (ashtu sikurse të huaj) nuk tregonin asnjë foto apo video të fëmijëve të tyre në rrjetet sociale.
Ama, kur lind dhe rrit një “mrekulli” nuk ke si të mos e ndash me mijëra të tjerë që të ndjekin në Instagram, SnapChat apo Facebook. Do të ishte mëkat!
Kështu, edhe VIP-at tanë nisën të ndajnë me ne copëza nga përditshmëria e tyre me “uraganin”, “horrin”, “diellin”, “don zhuanin”, “princeshën” dhe me “birin e djalit me lule në kokë”… Kaq mjaftoi dhe të gjithë ne (duam apo nuk duam) jemi shndërruar në fansa të fëmijëve të vegjël, shkruan Gazeta Metro, transmeton Gazeta Shneta.
Janë kaq të vegjël dhe bëjnë për të qeshur (dhe qarë) një audiencë të tërë në rrjetet sociale… dhe pyetja që na lind është kjo: Çfarë i pengon që për pak vite të bëhen më të famshëm se prindërit? ASGJË!
Lian:
Lum vajzat dhe mjerë Vesa! Kështu duam ta nisim përshkrimin për “horrin” e Vesa Lumës dhe Big Bastës. E shohim gati çdo ditë në rrjetet sociale të mami Vesës dhe çdo ditë e shohim duke bërë nga një gjë ndryshe.
Një ditë luan me 1568 lodrat që ka në dhomë, një ditë ka filluar të ecë në mbarë shtëpinë, një ditë tjetër ka nxjerrë gjithë enët nga vendi i tyre, tjetrën ditë Liani ia ka marrë këngës e në fund, ka kthyer shtëpinë përmbys!
Thamë një shprehje në fillim, së cilës i qëndrojmë akoma.
Lum vajzat sepse do të kenë një Lian të bukur pas të cilit do të marrosen lehtësisht! Mjerë Vesa, e cila duhet të durojë të gjitha vajzat që do të kërkojnë Lianin! Me krahë të lehta Vesë!
Renee
Renee është me të vërtetë “princesha” e familjes Istrefi dhe Berisha! E për këtë mjafton të shikosh rrjetet sociale të mami Norës, babi Robertit dhe teze Erës.
Ndryshe nga dy të parët, Renee nuk shpall Luftën e Tretë Botërore në shtëpi, por sillet si një princeshë e vërtetë… ose mami dhe babi përpiqen që rrëmujën mos ta tregojnë jashtë 4 mureve.
Ama, e vogla Renee ka trashëguar më të mirën nga familja e saj: muzikën!
Në fakt, ka qenë një video e tezes e cila na ka vërtetuar dyshimet nëse Renee e ka dellin e artistes apo jo… dhe po, e ka!
Pra, “NESËR” (label i menaxherit Faton Shoshi, ku bën pjesë Era, Ledri dhe Buta) do të ketë një anëtare të re nesër apo pas pak kohësh.
Grace
Grace është “gjithçkabërësja” e Aurela Gaçes. Pse? – do të thoni ju. Sepse mund të bëjë palestër aq fort sa edhe mami, mund të qëndrojë në studio e të këndojë njësoj si mami dhe mund të kujdeset për motrën ashtu si dhe mami!
Me të vërtetë mendon njeri në këtë vend që fëmijët e të madhes Aurela Gaçe nuk do të trashëgojnë nga mami aftësinë e “të tërhequrit të vëmendjes”?!
Jemi të sigurt që shumë shpejt do të dëgjojmë për Grace-n!
Fernando
Ju mund ta quani Fernando, por ne e quajmë “Don Zhuani” i Çiljetës.
Me pak tipare latine të përziera me ato shqiptare, Fernando ka tërhequr mijëra ndjekës në rrjetet sociale, qoftë te profili i tij, qoftë tek ai i mami Çilit. Përveçse një djalë mjaft tërheqës, plus fakti që mund të këndojë, jemi shumë të sigurt që i vogli i Çiljetës do të jetë një nga djemtë të cilëve u shohim foto kur zgjohemi në mëngjes e para se të flemë.
Prandaj i themi Çilit: Bëj dhe nja dy këngë sa je në kohë sepse më pas të gjithë do të duan që këngët t’ua këndojë Fernando! /Gazeta Shneta/