Studimet e mëparshme kanë treguar se gratë mbi moshën 55-vjeç, sidomos pas menopauzës, kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje të zemrës. Faktorët e stilit të jetesës, si aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme dhe reduktimi i stresit, mund të ndikojnë ndjeshëm në uljen e këtij rreziku.
Një studim i ri, i botuar në “The British Journal of Sports Medicine”, tregon se gratë e moshuara që bënin rreth 4,000 hapa në vetëm një ose dy ditë të javës kishin një rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme, krahasuar me ato që bënin më pak hapa, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë, duke shkaktuar rreth 19.8 milion humbje jete në vitin 2022. Prandaj, edhe ndryshimet e vogla në aktivitetin ditor mund të kenë përfitime të rëndësishme për shëndetin.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ecja prej 7,000 hapash në ditë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ndërsa të ecurit mbi 3,000 hapa në ditë mund të reduktojë ngjarjet kardiovaskulare serioze me rreth 17%.
Rezultatet e reja theksojnë se përfitimet nga aktiviteti fizik nuk kërkojnë domosdoshmërisht ushtrime të përditshme apo intensive.
Edhe disa ditë ecje të moderuar në javë mund të mjaftojnë për të përmirësuar shëndetin e zemrës dhe për të zgjatur jetën. /Gazeta Shneta/


