Një variant më i ashpër i virusit mpox – i cili shkakton plagë të dhimbshme në lëkurë dhe simptoma të ngjashme me gripin – është identifikuar tek tre banorë të Kalifornisë që nuk kishin udhëtuar jashtë vendit. Ky është rasti i parë i përhapjes lokale të këtij varianti në Shtetet e Bashkuara.
Varianti, i njohur si kladi 1, ka shkaktuar dhjetëra mijëra infeksione dhe qindra vdekje në Afrikën Qendrore dhe Lindore, por deri tani nuk ishte përhapur nga njeriu te njeriu në SHBA. Varianti më i lehtë, kladi 2, ishte përgjegjës për shpërthimin e vitit 2022, ku u prekën rreth 30,000 amerikanë, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Rastet e reja të kladi 1 janë zbuluar tek një person në Long Beach dhe dy të tjerë në Los Angeles. Të tre janë shtruar në spital dhe aktualisht po rikuperohen në izolim në shtëpi. Nuk është gjetur ndonjë lidhje mes rasteve.
“Është ende herët për të dhënë përfundime, por shqetësohemi se mund të shohim forma më të rënda të sëmundjes,” tha Dr. Sonali Kulkarni nga Departamenti i Shëndetit Publik të Los Angeles-it.
Pacientët ishin meshkuj homoseksualë dhe biseksualë, grup që mbetet më i rrezikuar për infeksionin. Edhe pse mpox nuk klasifikohet si sëmundje seksualisht e transmetueshme, virusi mund të përhapet përmes kontaktit të ngushtë, objekteve të përbashkëta ose ekspozimit brenda familjes.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë vaksinimin me dy doza të vaksinës ‘Jynneos’ për personat me rrezik të lartë, pasi ajo ofron mbrojtje të lartë ndaj formave të rënda.
Ekspertët paralajmërojnë se shkurtimet në programet shëndetësore mund të kufizojnë aftësinë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit. /Gazeta Shneta/


