Dhimbja, fryerja në regjionin inguinal dhe vështirësitë gjatë aktiviteteve fizike mund të jenë shenja të hernisë inguinale, një gjendje që kërkon trajtim të duhur dhe në kohë për të shmangur komplikimet.
Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, kirurgu abdominal Adriatik Lajçi flet për shkaqet, simptomat, diagnostikimin dhe trajtimin kirurgjikal të kësaj sëmundjeje.
Intervista e plotë:
Shneta: Çfarë është hernia inguinale dhe si shkaktohet ajo?
Dr. Lajçi: Hernia inguinale është një defekt i murit abdominal në regjionin inguinal. Shkaktari kryesor është vetë dobësia e murit abdominal në këtë regjion, por ka disa faktorë që e favorizojnë paraqitjen e saj, si mbipesha, sforcimet e rënda fizike apo disa sëmundje urologjike si hiperplazia e prostatës.
Cilat janë simptomat e para që tregojnë praninë e kësaj sëmundjeje?
Dr. Lajçi: Simptomat e para janë paraqitja e fryerjes në kanalin inguinal, dhimbjet me intensitet të ndryshueshëm dhe discomforti në këtë regjion. Në disa raste mund të paraqiten edhe opstipacion apo vështirësi në urinim.
Si vendoset diagnoza e saktë nga ana e mjekut kur dyshohet për hernie?
Dr. Lajçi: Diagnoza vendoset përmes anamnezës, ekzaminimit fizik dhe procedurave radiologjike imazherike, në radhë të parë ekografisë, RTG-së apo kompjuter tomografisë.
Cilat janë metodat më të mira aktuale për trajtimin kirurgjikal?
Dr. Lajçi: Trajtimi kirurgjikal konsiston në kirurgjinë klasike të hapur apo metodat intervenuese laparoskopike. Të dy llojet operative përfshijnë disa procedura kirurgjikale. Ndër metodat më efektive është plasimi i rrjetës sintetike, ku bëhet përforcimi i murit të përparmë abdominal në regjionin inguinal dhe rekonstruksioni i kanalit inguinal.
Cilat janë rreziqet për pacientin nëse kjo gjendje lihet pa u trajtuar?
Dr: Lajçi: Rreziqet më të shpeshta janë zmadhimi i qeses herniale me kalimin e kohës, depërtimi i zorrëve brenda qeses dhe ardhja deri te strangulimi apo ngatërresa e zorrëve, siç njihet në popull. Në këto raste mund të ndodhin komplikime shumë të rrezikshme, ndonjëherë edhe me kërcënim për jetën e pacientit.
Çfarë këshillash keni për pacientët pas operacionit dhe për parandalim?
Pas trajtimit kirurgjikal pacientët duhet t’u përmbahen disa rregullave, duke filluar nga regjimi adekuat ushqimor, mbajtja e bandazhës abdominale dhe ruajtja nga sforcimet fizike.
Për parandalim, ajo që varet nga pacienti është mbajtja e peshës normale, ushtrimet për përforcimin e muskulaturës abdominale, shmangia e aktiviteteve të rënda fizike pa përgatitjen e duhur dhe konsultat mjekësore në kohë.


