Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, reparti i Internos ka forcuar shërbimet kardiologjike me angazhimin e 7 specialistëve të fushës.
Spitali i Mitrovicës përmes një postimi bën të ditur se vizitat specialistike kardiologjike, duke përfshirë edhe procedurat rutinore me elektrokardiogram (EKG), ofrohen çdo ditë në ambientet e ambulantës specialistike, përcjell Gazeta Shneta.
Specialistët kardiologë kryejnë shërbime të avancuara diagnostikore duke përfshirë:
- Echokardiografinë – ultrazërin e zemrës;
- Ergometrinë – stres testin koronar për identifikimin e sëmundjeve të arterieve koronare;
- Holter EKG 24 orësh – monitorim ritmi të zemrës për një periudhë të gjatë;
- Holter i Tensionit 24 orësh – monitorim i shtypit të gjakut për 24 orë.
Sipas spitalit, me ndryshimet dhe përmirësimet e bëra, lista e pritjes së pacientëve për këto shërbime është më e shkurtër se një javë, duke siguruar një akses më të shpejtë dhe efikas për ata që kanë nevojë për kujdes kardiologjik./Gazeta Shneta/