Pas qëndrimit gati 1 javor në një spital privat në Kosovë, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, do të udhëtojë për në Gjermani për diagnostikim.
Këshilltari i Mustafës, Besnik Berisha, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e tij është e mirë dhe me vetëdije të plotë.
Berisha ka bërë të ditur se shkuarja e Mustafës në Gjermani do të ndihmohet edhe nga Qeveria, pasi për këtë ka pasur interesim nga kryeministri Ramush Haradinaj.
“Personalisht kryeministri z. Ramush Haradinaj ka shprehur gatishmërinë që të përkrahet çfarëdo nevojë për trajtimin e z. Mustafa. Këtë e ka shprehur mbrëmë nëpërmjet djalit të z. Mustafa”, ka deklaruar Berisha për Radio Dukagjinin.
Në mëngjesin e sotëm ka arritur edhe avioni privati i cili do ta transportojë Mustafën nga Prishtina në Gjermani. Ende nuk dihet se në cilin qytet apo spital do të trajtohet kreu i LDK-së.
Gazeta Express ka raportuar gjatë ditës së djeshme se mjekët në Kosovë dyshojnë se kryetari i LDK-së është prekur nga sindoroma “Guillain-Barré syndrome”. Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lë pasoja. /Gazeta Shneta/