Gjykata ka vendosur që të veçohet procedura ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretarit të përgjithshëm, Gani Shabani, siç raporton Insajderi, transmeton Gazeta Shneta.
Agani dhe Shabani, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në rifillimin e gjykimit në këtë rast, ata janë deklaruar të pafajshëm.
Vendimin për veçimin e kësaj procedure, e ka marrë të hënën, gjykatësja Shadije Gërguri, për shkak të efikasitet të çështjes, pasi që si pasojë e numrit të madh të personave të akuzuar, kjo lëndë është sfiduar të trajtohet në praktikë nga gjykata.
Kurse, dy procedura tjera do të zhvillohen ndaj të akuzuarve tjerë në rastin “Stenta”.
Në seancën e së hënës, aktakuza është konstatuar e lexuar, pasi që për këtë kanë hequr dorë të akuzuarit, pasi që ajo ishte lexuar edhe në shqyrtimin e kaluar.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Agani, avokati Adem Vokshi, ka deklaruar se mbetet pranë kundërshtimeve të aktakuzës, prandaj sipas tij, nuk ka nevojë të mbahet shqyrtimi i dytë. Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Nikë Shala, ka deklaruar se zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka shkelur ligjin ndaj klientit të tij, pasi që siç ka thënë ai, nuk e ka trajtuar rastin brenda afatit të përcaktuar në ligj.
Ndërsa prokurorja e rastit Florie Shamolli ka deklaruar se aktakuza e ngritur ka prova të mjaftueshme dhe se në kundërshtimet e mbojtësve të të akuzuarve, ajo ka thënë se do të përgjigjet me shkrim.
“Nuk mendoj se është e nevojshme të mbahet shqyrtimi i dytë”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, pas afro nëntë muajsh prej se është mbajtur seanca e fundit, sot ka rifilluar gjykimi ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Stenta”. / Gazeta Shneta