Sipas një raporti të Bankës Botërore, qindra foshnje premature vdesin çdo vit në Kosovë si pasojë e ndotjes së ajrit
Ajri i ndotur ka tejkaluar çdo nivel standard në Kosovë e madje është bërë edhe i rrezikshëm për jetën e qytetarëve. Niveli më i lartë ka arritur mbi 300 pm gjatë stinës së dimrit.
Antigona Ukëhaxhaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë për REL se ndotja e lartë e ajrit, është një nga shkaktarët e disa vdekjeve njerëzore.
“Sipas një raporti të Bankës Botërore në Kosovë, del se kostoja e ndotjes së ajrit në zona urbane shkakton 835 vdekje premature, 310 raste të bronkiteve kronike, 600 pranime spitalore dhe 11 mijë e 600 vizita në emergjencë brenda vitit”, ka deklaruar Ukëhaxhaj.
Ajo thotë se nuk janë në dijeni se si janë kalkuluar këto të dhëna nga BB, nëse janë bazuar në pranimet spitalore apo në rastet e vdekshmërisë.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Dr. Basri Sejdiu, thotë se për një vit janë pranuar mbi 60 mijë raste emergjente, ku 11 mijë prej tyre kanë kërkuar ndihmë për sëmundje internistike dhe pulmonare.
Megjithatë, sipas tij nuk mund të thuhet se shkaktar i vdekjes është ndotja e ajrit. /Gazeta Shneta/