Një konzolium i mjekëve në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ka shfajësuar gjinekologun turk Ahmet Payasli për skandalin me një paciente kosovare. Payasli i kishte thënë nënës se foshnja ka peshë 3200 gramë, derisa pesha reale ishte 4970. Kjo kishte shkaktuar komplikime në lindje natyrale dhe dëmtime të bebes
Një ankesë e pacientes M.B. e ka lënë gjinekologun turk Ahmet Payasli pa u licencuar që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Kjo paciente ishte ankuar në Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë për disa dëmtime që ia kishte shkaktuar.
Në raportin e Inspektoratit të cilin e posedon Gazeta Shneta, bashkëshorti i pacientes deklaron se në vizitën e dytë më 16 nëntor 2016, Payasli i kishte thënë nënës se pesha e foshnjës është 3200 gram. Asistentja e gjinekologut kishte insistuar se lindja mund të kryhet në spitalin ‘Istanbul Medicine Hospital’. Kjo i kushtoi foshnjës me lëndime dhe pasoja të tjera gjatë lindjes.
Ndonëse Payasli i kishte thënë nënës se pesha e bebes është 3200 gram, në deklaratën e tij thotë se nuk ka mundur të përcaktojë peshën e fetusit “për shkak të obezitetit morbid të nënës”.
Me ultrazë të kohëve të fundit një gjë e tillë do të mund të vërehej pa ndonjë problem, sikurse vet Payasli ku ka mund të vërej se “dopleri i arteries umbilikale ka qenë normal, lëngu amniotik poashtu si dhe placenta me fundus GRADE 2”, çka e ka shtyrë atë që ta rekomandoj pacienten për lindje normale.
Këtu fillon tmerri i nënës kur paraqitet në spitalin “IMH” me ujëra të shpërthyera më datën 21 nëntor 2016 në ora 13:00.
“Në ora 22:45, pacientja merret në sallë, faza e parë dhe e lindjes shkuan në rregull por faza e fundit e lindjes pas daljes së kokës së bebes ka pas ngecje të krahërorit dhe është bërë manevra MC ROBERTS dhe manevra VOODS është nxjerrë beba e gjallë në ora 23:15 lindë fëmija femër me peshë 4970 gr”, thuhet në Fletëlëshimin e pacientes, lëshuar nga Istanbul Medicine.
Menjëherë pas lindjes, për shkak të komplikimeve si rezultat i peshës dhe madhësisë së foshnjës, spitali ishte detyruar ta dërgonte foshnjën në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.
“Në pranim foshnje e gjinisë femërore, 1 orëshe e reanimuar në sallë të lindjes deri në intubim ET dhe adrenalinë. Hematomë e lehtë facioale dhe hematomë në regjionin torakal majtas”, thuhet tutje në raportin e ISH-së.
Pesha e madhe e foshnjës kishte shkaktuar komplikimet gjatë lindjes, kur foshnja ishte përballur me mosfurnizim të oksigjenit gjatë procesit. Kjo është bërë e ditur në diagnozën përfundimtare të Klinikës së Neonatologjisë. Poashtu foshnja ishte diagnostikuar me infeksion në mushkëri, lëndim të krahut gjatë nxjerrjes nga trupi i nënës, si dhe deformimin e kokës në kanal.
Për të gjitha këto komplikime, bashkëshorti kishte kërkuar raportet mjekësore nga Payasli pas lindjes, por ai kishte refuzuar t’ia jepte duke i thënë se “asnjëherë nuk lëshon raporte në bazë të këshillës së avokatit për ta mbrojtur veten në rast të ndonjë ankese pranë institucioneve përkatëse”.
Por të gjitha këto komplikime dhe dëmtime të bebes nuk i kanë mjaftuar një konzoliumi të përbërë nga gjinekologë të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, për ta ngarkuar Payaslin me përgjegjësi në këtë rast.
Gazeta Shneta merr vesh nga burime brenda kësaj klinike se konzoliumi ka shfajësuar mjekun turk, me arsyetimin se një gjë e tillë mund t’i ndodhë secilit dhe se gjinekologu i cili e përcjellë shtatzëninë e mban të drejtën për të rekomanduar mënyrën e lindjes.
Ky raport i konzoliumit të gjinekologëve është miratuar gjatë ditës së sotme nga Komisioni Etik i SHSKUK-së. Këtë e ka konfirmuar kryetarja e këtij organi, Dr. Aurora Bakalli. Ajo nuk ka pranuar të jap detaje, duke insistuar që një gjë e tillë të kërkohet nga Inspektorati Shëndetësor.
Ahmet Payasli është bastisur vitin e kaluar nga Administrata Tatimore e Kosovës për shmangie tatimi në ordinancën e tij në Prishtinë, ku janë gjetur para të gatshme, barna me afat të skaduar dhe produkte për fekondim artificial me prejardhje të dyshimtë.
Gazeta Shneta ka raportuar edhe për rastin e një pacienteje e cila kishte kërkuar nga Payasli përcaktim të gjinisë. Mjeku turk i kishte premtuar se do të bëhej nënë e “një djali të shëndoshë”, derisa IVF-ja kishte dështuar ndërsa nëna kishte paguar 9 mijë euro pa marr asnjë dëshmi për pagesat.
Pas raportimeve të Gazetës, Inspektorati ia ka ndaluar punën Payaslit deri në një vendim të Bordit për Licencim të MSH-së. Ai është ende nën hetime nga Prokuroria e Shtetit. /Gazeta Shneta/