Klinika e Neurologjisë përballet me më së shumti vdekje të pacientëve përgjatë një viti
Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës përgjatë 12 muajve ofrohen miliona shërbime të ndryshme.
Në fillim të çdo viti të ri, SHSKUK publikon statistikat për klinika të ndryshme duke promovuar kështu punën e tyre. Por në këto publikime nuk raportohet edhe për numrin e pacientëve të vdekur.
Klinika ku gjejnë vdekjen më së shumti pacientë, është ajo e Neurologjisë. SHSKUK në një përgjigje për Gazeta Shneta ka ofruar shifrat e vdekjeve vetëm për vitin 2016, ndërsa për vitin e kaluar kanë deklaruar se janë duke i përpunuar të dhënat.
“Klinika e neurologjisë trajton rastet më të rënda të sulmeve në tru, andaj duke pasur parasysh patologjitë kjo klinikë më 2016 ka pasur 375 raste vdekje”, thuhet në përgjigje.
SHSKUK thotë se përkundër kujdesit maksimal nga stafi, jetët e pacientëve nganjëherë nuk arritët që të shpëtohen.
“Duke krahasuar miliona shërbime te ofruara nga klinikat e QKUK-së, natyrisht se ka edhe raste rënda dhe komplikacione që përkundër kujdesit maksimal nga stafi nuk arrihet të shpëtohen jetët”.
SHSKUK një pjesë të përgjegjësisë ua hedh edhe spitaleve private për vdekjen e pacientëve.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendër e nivelit terciar, trajton sëmundjet e rënda, përfshirë rastet e rënda emergjente, rastet intnsive dhe patologjitë e rënda, pra përfshirë edhe komplikacionet nga qendrat spitalore private e që rrisin numrin e vdekjeve”, është thënë në përgjigje. /Gazeta Shneta/