Një familjar ka akuzuar kardiologun Gani Bajraktari se i ka thënë ta dërgojë babanë e tij në një spital privat për ta kryer koronarografinë
Një ankesë që mund të konsiderohet si skandali i dytë i Stentave, ka arritur në adresë të Zyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar. Familjari është ankuar ndaj mjekut të Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari, i cili thotë se i ka kërkuar ta dërgojë babanë në një spital privat për të kryer koronarofrafinë me një paketë ofertë, shkruan Gazeta Shneta.
Pas disa dhimbjeve dhe shtrëngimeve të fuqishme në gjoks, pacienti fillimisht kishte kërkuar ndihmë në Spitalin e Prizrenit dhe më pastaj është dërguar në Kardiologji të QKUK-së. S.S. djali i pacientit, ka shkruar në ankesën të cilën e posedon Gazeta, se babai i tij është shtrirë në njësinë koronare e më pastaj në katin e dytë të repartit.
“Doktori përgjegjës i dhomës, Gani Bajrakatari, pas disa ditë të qëndrimit në spital, i kishte shkruar prindit në histori ‘indikohet koronarografia’, por propozimin nuk e bënte në mbledhjen me mjekët e repartit. Ne ishim dy vëllezër që kujdeseshim për prindin dhe të dy të shkolluar, njëri gazetar dhe unë Jurist dhe nuk kishim mundësi financiare t’i bëjmë koronarografi dhe stentë në spitalet private”, thuhet në ankesë.
S.S. shkruan tutje se disa herë e kanë lutur mjekun që të bëntë këtë propozim për të kryer koronarografinë në QKUK, por ai iu kishte propozuar ta kryenin në një spital privat ku do t’ua mundësonte një paketë ofertë.
“Pas disa lutjesh nga ana jonë doktor Bajraktari tha: ‘skam çka bëjë më shumë, po e shihni si po shkon këtu puna, hajdeni në spital privat dhe unë ju bëjë një paketë ofertë për koronarografi’ duke përmendur edhe shifra të hollash”, shkruan në ankesë.
Familjarët e pacientit kishin këmbëngulur që koronarografia të kryhej në QKUK dhe kjo ishte realizuar më 30 janar të këtij viti. Pacienti ishte diagnostikuar me dy ngushtime të arterieve, njëra 90 për qind dhe tjetra 95 për qind.
Njëra arterie është stentuar dhe tjetra, sipas mjekëve nuk ishte urgjente dhe ishte lënë për më vonë. Por familjari është ankuar se që nga 6 shkurti, ditë kjo kur kanë bërë terminin për stentën e dytë, nuk janë ftuar më nga klinika për të kryer intervenimin.
Gazeta ka biseduar me drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë, Dr. Imri Jashari, por i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me rastin duke thënë se është ende herët dhe nuk është shqyrtuar ankesa.
Megjithatë, Gazeta ka mësuar nga burime se drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së tashmë ka kërkuar që rasti të shkoj në Komisionin Disiplinor.
Kujtojmë se Gani Bajraktari është njëri nga të akuzuarit nga Prokuroria për skandalin e Stentave. Ai akuzohet se ka përfituar para në vlerë 20 mijë euro nga referimi i pacientëve për në spitale private për të kryer stentimin. /Gazeta Shneta/