Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka bërë një postim me rastin e përurimit të Mjekimit të ri Intensiv në QKUK. Reparti i ri i MIQ është funksionalizuar pas një investimi 2 milionë eurosh nga organizata turke TIKA.
Për këtë e ka falënderuar ministri Ismaili, i cili thotë se 27 shtretërit do t’i japin fund mungesës së hapësirave për pacientët.
“Reparti i shërbimit Intensiv, për vite me radhë, ka pasur më shumë kërkesa sesa që ka mundur t’i përballojë. Me vetëm 14 shtretër dhe pa infrastrukturë të duhur, kjo njësi e kujdesit dhe monitorimit 24-orësh për jetën e pacientëve, ka qenë kokëçarje e sektorit shëndetësor. Fatkeqësisht, jo rrallë historitë e qytetarëve tanë kanë pasur edhe fund të hidhur, si pasojë e mungesës së shtretërve në Intensivë. Sot, jam shumë i lumtur që kësaj historie i erdhi fundi”, ka shkruar Ismaili.
Tutje ka falënderuar TIKA-në dhe ka uruar pacientët që të mos kenë nevojë për këtë repart.
“Falënderoj Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim për investimin 2 milionë eurosh në këtë repart, i cili do të mundë të trajtojë mbi 1000 pacientë gjatë vitit, dyfishin e numrit të deritanishëm. Shpresoj që qytetarët tanë të kenë sa më pak nevojë për këtë repart, mirëpo është detyrë dhe obligim i yni që t’u gjendemi pranë kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka shkruar Ismaili. /Gazeta Shneta/