Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka pasur 160 raste për trajtim në 24 orët e fundit, përfshirë raste të aksidenteve në trafik, reaminime, raste të rënda kirurgjike, ortopedike dhe internistike.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media, shkruan Gazeta Shneta.
“Aktualisht, Klinika Emergjente e QKUK-së, ka qenë dhe mbetet e mbingarkuar 24 orë me pacientë, pëfshirë raste të aksidenteve në trafik, reanimime, raste të rënda kirurgjike, ortopedike dhe internistike”, thuhet në njoftim.
Tutje, ShSKUK ka bërë të ditur se numri i madh i pacientëve pa konsulte paraprake me QMF-të përbën shqetësim për repartin e Emergjencës.
“Duhet theksuar se shqetësim për Klinikën Emergjente, paraqet fakti se një numër i madh i pacientëve paraqiten për ndihmë mjekësore direkt në emergjencë, pa konsultuar paraprakisht Qendrat e Mjekësisë Familjare”, vë në pah komunikata./Gazeta Shneta/