Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë për Gazetën ka thënë se Agjencioni Kundër Korrupsion nuk ka konstatuar konflikt interesi në rastin e inspektores Ajla Zymber-Cesko me ordinancën stomatologjike “Ammsar Dent”
Mjekja stomatologe Ajla Zymber-Cesko kishte themeluar dhe licencuar ordinancën e saj private “Ammsar Dent” në vitin 2009. Por pasi ishte pranuar si inspektore në Inspektoratin Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, asaj i ishte kërkuar që kompetencat e drejtorit t’ia bartte dikujt tjetër pasi vet nuk mund t’i ushtronte për shkak të konfliktit të interesit me pozitën e inspektores.
Sipas MSH-së Zymber-Cesko e kishte përfillur këtë rekomandim. “Themelues dhe drejtor i këtij institucioni ka qenë Dr. Ajla Zymber Çeshko. Pas punësimit të saj në Inspektoratin Shëndetësor, nga Bordi për Licencim dhe Akreditim (DLA) pranë MSh-së është kërkuar nga inspektorja që të ndërrohet drejtori i institucionit, sepse e njëjta nuk mund të jetë drejtore, derisa është edhe inspektore në MSh. Ajo e ka përfilluar këtë kërkesë të bordit menjëherë dhe tani drejtor i ordinancës është Z. Muhamed Çeshko”, thuhet në përgjigjen e MSH-së, shkruan Gazeta Shneta.
MSH tutje sqaron se ish-kryeinspektorja Dr. Ardita Baraku iu kishte kërkuar të gjithë inspektorëve deklarimin e bizneseve dhe punëve sekondare në institucione private. Të njëjtat MSH thotë se janë përcjellë edhe në Agjencionin Kundër Korrupsion.
“Me datë 03/06/2019 (shkresa me nr. të protokollit 05-2870) Agjensioni Kundër Korrupsionit ka kthyer përgjigje Inspektoratit (MSh-së) në të cilën konstaton se Inspektorët nuk hyjnë në mesin e zyrtarëve të lartë publik fare dhe pasi që Inspektorati nuk ka rregulla të veçanta ose vendim të veçantë me të cilin ua ndalon atyre punën sekondare private, atëherë nuk ka konflikt interesi. Do të ishte konflikt interesi nëse personi në cilësinë e Inspektorit e inspekton zyrtarisht institucionin privat në të cilin punon (punë sekondare), e kjo nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigje.
MSH sqaron poashtu se inspektorët janë të detyruar të punojnë në profesionet e veta në mënyrë që të mos humbin licencimin nga Oda e Stomatologëve të Kosovës. Poashtu nëse humbin licencat nuk mund të punojnë as si inspektorë.
“Oda e Stomatologëve dhe Oda e Mjekëve të Kosovës sipas statuteve të veta, kërkojnë që secili profesionist shëndetësor (stomatolog, mjek) për t’u rilicencuar duhet që së paku brenda 5 vjetësh të ketë 2 vite pune në profesionin e vet. Nëse inspektorët nuk e ushtrojnë profesionin e vet, ata mund ta humbasin licencën me çka u cenohet edhe e drejta për punë si inspektor, sepse në momentin që nuk licenocohen/rilicencohen, ata nuk janë më profesionistë shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. /Gazeta Shneta/