Një hulumtim i kryer nga fondacioni i sindikatave “Hans Boeckler” në Gjermani ka nxjerrë rezultate dëshpëruese për infermierët e huaj që punojnë në Gjermani.
Në këtë studim thuhet se pengesa kryesore e infermierëve të huaj është gjuha dhe marrja e urdhrit të infermierit nga autoritetet gjermane, gjë që mund të zgjas deri në një vit, shkruan DW, transmeton Gazeta Shneta.
Marcela Cano, themeluese dhe drejtuese e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, i thotë DW se këto probleme i kanë edhe infermierët e ardhur nga Shqipëria. “Shumë infermierë janë të superkualifikuar, vijnë me mastera, ndërsa u duhet të merren këtu me larjen, shpëlarjen e pacientëve dhe shpërndarjen e medikamenteve”. Cano, vetë mjeke kirurge në një klinikë në Baden Baden, thotë tej: “Neper spitale akute si për shembull këtu ku punoj unë tri janë vendet ku një infermier me këto kualifikime gjen veten: reanimacioni, anestezia ose dhe urgjenca”.
Ritmi i lartë i punës e vështiron integrimin e të huajve, konstaton studimi i fondacionit Boeckler. Stafi i vjetër nuk ka shumë kohë që të përkujdeset për të krijuar kushte të përshtatshme ambientimi me vendin e ri të punës. Kjo vlen edhe për vetë gjermanët. Por për të huajt mungesa e gjuhës e vështirëson komunikimin. Këtë e konfirmon edhe infermieri shqiptar, i cili dëshiron të mbetet anonim (redaksia e ka emrin) dhe ka ardhur para pak kohësh në një klinikë universitare të Berlinit,.
“Mungesa e njohurive të gjuhës është dhe vazhdon të jetë problem, sepse si fillestarë në vendin e punës ne nuk arrijmë t’i kuptojmë të gjitha udhëzimet, sidomos kur dikush flet shpejt ose në dialekt”, thotë infermieri. “Por orari i punës është shumë i ngjeshur dhe duhet të presim derisa të na vijë radha të bëjmë pyetjen. Kjo ha shumë kohë dhe e rëndon paksa atmosferën e punës.”
Puna në Gjermani ndryshon nga ajo në Shqipëri edhe për nga volumi dhe natyra. Shumë shpesh infermierët kanë dyfishin e shtretërve në mbikëqyrje, dhe punojnë me orar të zgjatur. Por nga ana tjetër, siguria e vendit të punës është më e lartë. Puna jashtë orarit të zakonshëm paguhet ekstra dhe shton të ardhurat, dhe infermierët e ndiejnë veten të më të mbrojtur nga ligj.
Këtu puna është punë, dhe pushimi është pushim, thotë infermieri shqiptar: “Ky është një avantazh shumë i madh në krahasim me Shqipërinë, ku për vendin e punës të duheshin miq dhe duhej të ishe natë e ditë në dispozicion, e në rast nevoje të ndërprisje edhe pushimin veror.”