I plotësuar – Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka reaguar pas raportimit të Gazetës Shneta për ndërprerjen e punës në dy sallat operative të Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Kirurgjisë Plastike.
SHSKUK në reagim e ka pranuar se sallat nuk janë duke punuar për shkak të punimeve që janë duke u kryer në ndërrimin e liftit. Por zyrtarët kanë deklaruar se ato nuk do të rikthehen në punë derisa të montohet lifti i ri.
“Ashensorët nuk janë ndërruar për 50 vjet dhe gjatë kryerjes së punimeve mund të shkaktohet pluhur. Me qëllim që mos të ketë pengesa në sallë, përkohësisht, deri në montimin e liftit të ri është ndërprerë puna në sallë operative në maksillë dhe plastikë, për të rifilluar gjatë javës”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
Reagimi i plotë:
Sqarim lidhur me punën në salla kirurgjike
Në lidhje me shkrimin e publikuar në disa medie se sallat operative në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Kirurgjisë Maksillofaciale nuk janë duke punuar, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, sqaron se ka filluar të punojë në zbatimin e projektit për zgjerimin e sallave të operacionit, në klinikat kirurgjike dhe ndërrimin e ashensorëve (lifteve).
Ashensorët nuk janë ndërruar për 50 vjet dhe gjatë kryerjes së punimeve mund të shkaktohet pluhur. Me qëllim që mos të ketë pengesa në sallë, përkohësisht, deri në montimin e liftit të ri është ndërprerë puna në sallë operative në maksillë dhe plastikë, për të rifilluar gjatë javës.
Sallat kanë ndërprerë punën vetëm për programin jo emergjent (elektiv) dhe së të njëjtat lëshohen në punë gjatë javës.
Sa i përket kirurgjisë plastike, është duke u punuar për dy salla të reja operative, punimet janë në zhvillim e sipër, derisa të jenë gati këto dy salla, kirurgjia plastike po punon raste në sallën e kirurgjisë maskillofaciale.
Poashtu, për neurokirurgji kemi përgatitur sallën e dytë operative, që ka qenë kërkesë për vite të tëra nga kjo klinikë, ngase janë krijuar lista të gjata të pritjes për operacione.
Deri tani, salla e kirurgjisë plastike dhe neurokirurgjisë kanë funksionuar afër njëra- tjetrës dhe jashtë standardeve që kërkohen, kurse me investimet e reja do të krijohen kushtet e nevojshme.
——————————————————————————————————————
Ndërpritet puna në sallat operative të Kirurgjisë Maksilofaciale dhe Plastike në QKUK
Dy klinika të QKUK-së kanë ndërprerë punën në sallat operative që nga dita e hënë.
Klinika e Kirurgjisë Plastike dhe ajo e Kirurgjisë Maksilofaciale kanë rrëzuar programin operativ për shkak të ndërprerjes së punës në sallat operative, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo ndërprerje e punës ka ardhur si rezultat i punimeve që po kryhen në një lift, i cili është shumë afër sallave operative të dy klinikave. Punimet në këtë lift kanë shkaktuar shumë pluhur dhe ndotje, që si rezultat kanë bërë që të sallat të mbyllen.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu në një deklaratë për Gazetën Shneta, por ai nuk ka treguar nëse do të gjendet ndonjë zgjidhje dhe kur pritet të rikthehen sallat në punë. “Janë disa punime në lift që kanë shkaktuar shumë pluhur”, ka deklaruar Sejdiu.
Salla e Kirurgjisë Plastike deri para tre ditësh ka funksionuar në pjesën e bllokut kirurgjik, por pas kërkesave ajo sallë i është dhënë Klinikës së Neurokirurgjisë.
Drejtori i Plastikës Dr. Zejnë Buja nuk ka pranuar të flas duke sugjeruar që përgjigjet të kërkohen nga zyra për media e SHSKUK-së. Ndërkaq drejtori i Maksilës Dr. Agron Bytyqi nuk e ka hapur telefonin. /Gazeta Shneta/