Shqipëria ka ndaluar hyrjen e veturave private nga Kosova, në kuadër të masave që janë marr kundër përhapjes së koronavirusit.
Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufinjve e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar në Facebook, shkruan Gazeta Shneta.
“QKMK ju njofton: për masat e ndërmarra nga ana e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, sa i përket qarkullimit kufitar për në Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga data 13/03/2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë, për te gjithë shtetasit / veturat e Republikës së Kosovës. Do te lejohet hyrja vetëm e veturave te shëndetësisë / ndihmës së shpejt , automjeteve komerciale ( ata te cilat bartin mallra) dhe veturave qeveritare. Kjo masë do të zgjasë deri me datë, 15/03/2020 në ora 24.00”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Shqipëria nga sot në mëngjes e deri të dielën ka kufizuar lëvizjet edhe brenda territorit të saj. Në Tiranë dhe Durrës nuk mund të lëvizet me vetura private. /Gazeta Shneta/