Në komunën e Malishevës janë vendosur në vetizolim tre mjekë të cilët kanë pasur kontakt me gruan e konfirmuar me koronavirus nga fshati Bubavec.
Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj ka deklaruar se kanë mungesë të stafit mjekësor dhe mungesë të materialeve për mbrojtjen e stafit mjekësor nga infektimi. Ai i ka bërë thirrje nivelit qëndror që t’i plotësojë kërkesat e tyre, ndërsa ka thënë se nuk është kontaktuar nga askush prej nivelit qeveritar, pasi kjo komunë është vendosur në karantinë për shkak të koronavirusit, shkruan Gazeta Shneta.
Një zyrtar tjetër i komunës së Malishevës ka deklaruar se qytetarët e komunës janë të qetë dhe të matur dhe kjo i ka ndihmuar të menaxhojnë situatën. Ai ka deklaruar se kanë një regjistër të qytetarëve që kanë ardhur nga Itali ku janë evidentuar udhëtarët vetëm deri më 5 mars, ndërsa presin regjistrin e plotë.
Ai ka thënë se po kontaktojnë me kryetarët e fshatrave dhe me familjet ku kanë ardhur qytetarë nga jashtë, për t’i pyetur për gjendjen e tyre dhe nëse kanë shenja të virusit.
Zyrtarët e Malishevës kanë deklaruar se deri më tani janë vizituar vetëm nga një ekip i Institutit të shëndetit Publik në Prizren. /Gazeta Shneta/