Ka ndërruar jete pacientja 39-vjeçare e cila është operuar dje në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK, e cila pas operacionit rezultoi pozitive me koronavirus Covid-19.
Lajmin për Gazetën Shneta e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë. “Sot me datë 13.04.2020 në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive të QKUK-së ka përfunduar me vdekje pacientja S.K. (1981) nga Komuna e Istogut, e transferuar në këtë klinikë me datë 12.04.2020 nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe njëherësh e diagnostikuar me Covid 19. E njëjta përveç Covid-19 ka pasur edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë deri më tani kanë ndërruar jetë të paktën tetë persona, ndërsa janë konfirmuar pozitiv 362 persona.
Kujtojmë se Gazeta Shneta ka raportuar sot se gruaja nga Istogu ishte hospitalizuar në Spitalin e Pejës para disa ditësh, ndërsa dje në orët e para të mëngjesit ishte referuar me urgjencë për në Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale në QKUK.
Mjekët e kryen operacionin pa e ditur se ajo ishte infektuar me Covid19, çka u konfirmua tek pas intervenimit. Pacientja ishte shtrirë në mjekimin intensiv në Klinikën Infektive dhe për fat të keq nuk ka arritur t’i bëj ballë gjendjes së rënduar.
Për Gazetën Shneta zyrtarët kanë konfirmuar se dy teknik të Spitalit të Pejës dhe dy infermier të Klinikës së Kirurgjisë në QKUK janë vetizoluar pasi kanë pasur kontakt me tani të ndjerën. /Gazeta Shneta/
Kirurgët e QKUK-së e operuan urgjent, pacientja pas intervenimit del pozitive me Covid-19