Ministria e Shëndetësisë e ka nënshkruar kontratën e negociuar me kompaninë “Interlab” për blerjen emergjente të 30 ventilatorëve me vlerë 749 mijë euro. MSh i ka dhënë 70 ditë afat për sjelljen e këtyre pajisjeve nga prodhuesi në Kinë
Më datat 13, 22 dhe 23 mars kanë vënë firmat e tyre krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, ministri Dr. Arben Vitia, Sekretari Dr. Naim Bardiqi dhe udhëheqësi i Prokurimit Ismet Hyseni dhe pronari i kompanisë “Interlab” Betim Sadriu, në kontratën për blerjen e 30 ventilatorëve me çmim afër 25 mijë euro për njësi. Në total kontrata peshon 749 mijë euro, shkruan Gazeta Shneta.
Kontrata përcakton që kompania “Interlab” ta furnizojë MSH-në me 30 ventilatorë për të rritur dhe fëmijë, me turbinë me lagështues si dhe disa aksesorë shtesë. MSH i ka dhënë afat prej 70 ditësh kompanisë që t’i sjellë në Kosovë këto pajisje nga prodhuesi në Shanzhou në Kinë.
Në rast të vonesës së dorëzimit të pajisjeve nga furnizuesi, kontrata ka paraparë penalizim për furnizuesin nga 0.25 për qind në ditë të vlerës së furnizimeve të pa dorëzuara deri në një maksimum prej 10 për qind të vlerës totale të kontratës.
Në kontratë është paraparë servisimi dhe garancioni në kohëzgjatje prej 24 muajsh, duke përfshirë edhe ndërrimin e pjesëve të zëvendësueshme sipas rekomandimeve të prodhuesit ku përfshihen edhe përditësimet e pajisjes. Në çmim poashtu është llogaritur edhe instalimi i pajisjes si dhe trajnimi i stafit mjekësor e poashtu edhe trajnimi i stafit për servisim bazik.
Ventilatorët janë të modelit “Crius V6” të prodhuesit kinez “Northern Meditec Limited” me bazë në provincën Shenzhen në Kinë.
Gazeta ka kërkuar sqarime para 7 ditësh nga kompania “Interlab” për kohën e sjelljes së ventilatorëve në Kosovë por kompania nuk ka kthyer përgjigje. Njëjtë ka ndodhur edhe me Ministrinë e Shëndetësisë të cilët nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës të dërguara poashtu para 1 jave.
Ventilatorët janë një nga pajisjet më të rëndësishme për përballimin e situatës me koronavirus Covid-19. Këso pajisjesh në Kosovë llogariten të jenë mbi 140 në spitalet publike dhe private. Deri më tani për fat të mirë nuk ka pasur nevojë për kapacitete shtesë me ventilatorë përtej Klinikës Infektive.
MSH deri më tani ka zhvilluar rreth 12 procedura të negociuara të ndara në disa lote për furnizim emergjent me materiale mbrojtëse dhe barna për situatën me Covid-19. Për realizimin e këtyre kontratave MSH ka kërkuar ndihmë edhe nga Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës dhe Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës. /Gazeta Shneta/