Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Izet Sadiku ka deklaruar se mos respektimi i rekomandimeve dhe masave do t’i vë në diskutim lehtësimin e tyre nga Ministria e Shëndetësisë.
Sadiku thotë se është e domosdoshme që të vazhdohet me respektimin e masave të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ai ka theksuar se në rast se nuk respektohen këto masa, ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtatorë.
“Nëse nuk respektohen masat e propozuara për ruajtjen e distancës dhe përdorimi i maskës dhe nëse kemi grumbullime të njerëzve ekziston rreziku për rritjen e numrit të rasteve të reja që do të ndikonte që masat e lirimit të propozuara nga MSH të bëhen të diskutueshme për fazat tjera. Ju e dini se të gjitha hulumtimet tashmë kanë paralajmëruar se ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtator, dhe deri sa të zbulohet një vaksinë efikase jemi të detyruar të jetojmë me virusin duke respektuar dhe zbatuar maksimalisht masat e propozuara nga IKSHP-ja”, ka thënë Sadiku për telegrafin.
Infektologu u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duke mbajtur distancën dhe duke përdorur maskat, duke mos dalë pa nevojë dhe duke mos u grumbulluar në takime familjare ose të punës.
“Duhet kuptuar se bota do të jetë ndryshe pas COVID-19!”, tha Sadiku. Deri më tani numri i personave të prekur me COVID-19 ka arritur në 884, të shëruar janë 655, ndërkaq 28 persona kanë humbur jetën.