Mjeku Qëndrim Zenelaj nga Suhareka ka treguar se si është infektuar bashkëshortja e tij e cila punon si gjinekologe në një klinikë private në Prishtinë dhe në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Sipas Zenelajt, gruaja e tij doli pozitive pasi kishte kontakt me një infermiere e cila ishte konfirmuar me Covid-19 më parë.
Zenelaj, i cili punon në Qendrën Mjekësore Familjare në Suharekë si dhe në klinikën Gastroenterologjisë në QKUK si specializant, ka treguar për Metron se si është infektuar me koronavirus bashkëshortja e tij.
Zenelaj ka bërë të ditur se bashkëshortja e tij ka rezultuar pozitive me COVID-19 dhe se ajo nuk ka shfaqur asnjë simptome të vetme, derisa gjendja shëndetësore e saj është stabile.
“Edhe pse bashkëshortja ka qëndruar tek familjarët e saj për afro 7 ditë ata kanë rezultuar negativ, gjithashtu edhe djali ynë 5 vjeçar ka rezultuar negativ, ndërsa bashkëshortja pozitiv edhe pse vazhdimisht ka bartur maskë”, ka thënë ai për Metron.
Sipas doktorit dyshohet se bashkëshortja e tij është infektuar nga një kolege infermiere, pasi edhe ajo ka rezultuar pozitive.
Ndër tjera ai tregon se një testi për koronavirus pritet që edhe vet ai t’i nënshtrohet gjatë fundjavës, edhe pse nuk ka pasur kontakte me bashkëshorten me të cilën tani ndajnë një apartament por me dhoma të ndara.
Ai gjithashtu ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të shmangin daljet dhe të respektojnë udhëzimet.
“Apeloj tek të gjithë qytetarët që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimet nga institucionet tona dhe që të reduktojnë daljet dhe lëvizjet sa më shumë që është e mundur. Rëndësi të veçantë ka edhe mbajtja e higjienës, pastrimi i duarve sa më shpesh që të mundeni, të mbani distancën me persona të tjerë”, ka thënë doktori nga Suhareka.