Marigona Haziri, infermiere në Klinikën Infektive në QKUK, u detyrua të qëndrojë tre muaj në një banesë me qira larg prindërve, nga frika se mund të infektohej me koronavirus dhe mund ta bartë atë tek familja e saj.
Ajo tash ka filluar të udhëtojë për në Vushtrri prej nga vjen, por thotë se frika vazhdon të jetë e pranishme.
“Virusi nuk është gënjeshtër. Po shoh komente në rrjetet sociale që e thonë këtë, por jo, nuk është ashtu. Sikur ata të shohin gjendjen në Klinikën Infektive siç ne personeli e shohim, besoj që çdo qytetar do të respektonte masat mbrojtëse dhe do të ruhej nga ky virus”, thotë ajo.
Haziri, e cila tre vite më parë ka nisur profesionin e infermieres në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, thotë të mos jenë përballur asnjëherë me një gjendje të tillë çfarë e ka shkaktuar koronavirusi.
“Një ditë e zakonshme në gjendje normale në Klinikën Infektive është më e qetë, por tani në pandemi kemi shumë punë. Në ora 7:00 fillon ndërrimi i ditës deri në ora 19:00. Sot kam ardhur në ora 7:00 të mëngjesit, tek pacientat kam hyrë në ora 7:30 dhe kam mbetur e veshur me rroba deri në ora 14:00 për shkak të punëve të shumta”, tha ajo për REL.
Numri i madh i pacientëve të hospitalizuar, thotë infermierja Haziri, bën që puna të bëhet pa pushim.
“Për shkak të mbingarkesës me pacientë të hospitalizuar jemi të detyruar të jemi të veshur me ato rroba që të mbrojnë nga koronavirusi deri në 7 orë, pa ngrënë dhe pa pirë, pra të izoluar ”, thotë ajo.
“Tash ora është 15:00, pak më herët kam ngrënë bukë nga dita e djeshme”, shtoi Haziri.
Rastet e para me koronavirus, Kosova i ka shënuar më 13 mars. Deri më 3 korrik, numri i të prekurve me koronvirus në Kosovë ka arritur në 3.064 dhe 55 persona kanë humbur jetën.
*Artikullin e plotë mund ta lexoni në evropaelire.org